I premtoi besnikëri Vllaznisë por turqit vijojnë të trokasin në derë, Hoxhaj “flirton” me klubin në rrjetet sociale

Ofertat nga Turqia nuk kanë të mbaruar për Ardit Hoxhajn. Golashënuesi më i mirë i kampionatit tonë pranoi për mikrofonin e “Supersport” përpara ndeshjes me Kukësin se Boluspori kishte dorëzuar ofertë zyrtare për shërbimet e tij. Por akordi nuk u arrit dhe arsyeja e vetme për këtë është se vlonjati dëshiron t’i qendrojë besnik Vllaznisë deri në fund të sezonit, gjë të cilën edhe vetë sponsori Xhaferi ia kërkoi.

Megjithatë një tjetër klub turk troket në derën e kuqebluve, teksa Samsunspori vjen me një ofertë zyrtare për Hoxhajn. Klubi luan në Kategorinë e Parë të Turqisë, ku gjenden në vendi ne 3-të dhe janë kandidatë seriozë për ngjitjen në elitë. Objektiv ky për të cilin një ndihmë e madhe mund të vijë nga 26-vjeçari shqiptar. Ky i fundit ka nisur “flirtin” në rrjetet sociale, teksa ka nisur të ndjekë faqen zyrtare të klubit, presidentin dhe trajnerin e tij. Madje në një prononcim për “Haber1965”, Hoxhaj shpreh dëshirën për të qenë pjesë e Samsunspor, por këtë vendim do e marrë Vllaznia.

“Kam një kontratë me klubin tim momentalisht. Samsunspori është një klub që e pëlqej. Kanë një tifozeri të madhe dhe dua të jem pjesë e kësaj skuadre. Gjithsesi, problemi qendron te kontrata ime dhe këto vendime i takojnë drejtuesëve”, ka thënë Ardit Hoxhaj, që tashme pret një përgjigje nga Vllaznia. E nëse oferta është e një shifre të konsiderueshme, ndoshta skuadra shkodrane mund të japë miratimin për këtë transferim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *