“I pranoj kritikat, nuk do ndryshoja asgjë”/ Reja flet pas humbjes: Laçi vrapoi gjithë ndeshjen

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, ka folur në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Lituaninë. Tekniku i kuqezinjëve ka vendosur theksin se nuk do të ndryshonte asgjë në zgjedhjet e tij nëse do të kthente kokën pas.

Keidi Bare ndiente lodhje dhe për këtë arsye i’u besua Qazim Laçit. Trajneri është shprehur i lumtur me paraqitjen e mesfushorit të Ajacios pasi ka vrapuar gjithë ndeshjen.

“Ekipi e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen por kishim përballë një ekip si Lituania që ishte dy herë më mirë se ne fizikisht, luante me dopio marsh dhe na vuri shumë në vështirësi. Sigurisht, ishte meritë e Lituanisë që mori këtë fitore.

Më shqetëson fakti dhe e kam thënë disa herë këto ditë që nuk jemi në gjendje të mirë fizike, nuk jemi në formë të mirë, kemi shumë lojtarë pa ndeshje. Ne u përballëm me Lituaninë dhe Bjellorusinë, dy skuadra që ishin shumë para nesh në drejtim të përgatitjes fizike.

Dy skuadra që e kanë nisur kampionatin e tyre dhe sigurisht që ishin më në formë. Pjesa e dytë ishte pak e vështirë, ata vraponin shumë më shumë se ne dhe sigurisht na vunë në vështirësi dhe këto janë ndeshje që nëse nuk e zhbllokon dot rezultatin bëhet shumë e vështirë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Nuk arritëm të finalizonim dot, ne e nisëm mirë ndeshjen pjesën e dytë, por ndodhi ai gabim dhe kur je në disavantazh pastaj përpiqesh të bësh sforco më të madhe dhe të rikuperosh gabimet. Ne patëm rastet tona për të shënuar, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim, një herë me Hysaj pastaj me Laçin. Pastaj ndodhi edhe dëmtimi, gjërat nuk shkuan mirë në këtë mbrëmje. Nuk duhet të rrezikonim, por edhe Lituania u avantazhua nga goli dhe ndeshja u komplikua më pas.

Ndonjë ndryshim nëse do të kthehej edhe njëherë pas? Nuk do të ndryshoja asgjë nëse do kthehesha pas në kohë. Lashë Baren pushim pasi ishte goxha i lodhur dhe bëra mirë. Hodha në fushë Laçin pasi edhe doja ta shikoja dhe të them të drejtën ishte nga lojtarët që vrapoi më shumë dhe luajti mjaft mirë, deri në minutën e 90’ vrapoi dhe nuk pushoi. Nuk do ndryshoja asgjë, pasi edhe këto mundësi kisha dhe sigurisht që dhamë gjithçka. Edhe lojtarët e tjerë që kisha në dispozicion nuk ishin në kushte të mira fizike, por në humbjë të tilla sigurisht që kritikat qëndrojnë dhe unë i pranoj.

Ishte e çuditshme, sepse Lituania u pështat shumë me lojën tonë dhe na vuri në presing gjithë fushës dhe kjo ishte nga ato ndeshje ku mund të shënosh edhe me një korne apo goditje dënimi dhe mund t’ia dalësh, por ne nuk na eci këtë herë dhe Lituania u tregua më e zonja në këtë drejtim. Broja është lojtar shumë i ri dhe nuk ka eksperiencë dhe nuk mund t’i besoja që nga fillimi një ndeshje të tillë, unë i pranoj kritikat për humbjet dhe në zgjedhjet që ne ishim, kaq mund të bënim. Sigurisht unë hodha në fushë edhe Mihaj edhe Laçin, ishin dy nga ndryshimet që bëra në formacion në krahasim me ndeshjen me Bjellorusinë dhe ata luajtën shumë mirë.

Edhe Abrashi ka luajtur shumë mirë githashtu por në ndeshje të tilla duhet shpejtësi, duhet teknikë dhe nëse nuk krijon hapësira, nuk mund të jesh agresiv dhe të arrish te finalizimi. E thashë disa herë që Lituania ishte shumë mirë dhe uroj që pas një muaji, kur ne të kthehemi në ndeshjet e kombëtareve të jemi ndryshe, të kemi lojtarë që kanë nisur të luajnë në kampionatet e tyre dhe uroj të marrim maksimumin”, u shpreh Reja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *