Shpëtim Duro ka debutuar me fitore te Egnatia. Një triumf i madh për këtë skuadër që arritën të mundin në transfertë Kukësin me shifrat 0-1. Verilindorët vinin pas një forme të mirë nën drejtimin e Dobit, por tani përballen me vështirësitë. Asgjë e vjedhur nga Egnatia që ka pasur jo pak mundësi për të kaluar në avantazh. Ndeshjen e vendosi autogoli i mbrojtësit Ferreira në minutën e 80.
Laçi ka arritur që të marrë një fitore jetike. Kurbinasit arritën që të fitonin ndaj Kastriotit, një ekip që i ka hapur telashe të gjithëve në Superiore. Goli i vetëm u shënua nga ana e Ujkës, ku pas një skeme nga goditja e këndit, sfera do të përfundonte në cepin e rrjetës. Vendasit e kishin të pamundur për të reaguar, ndërsa kurbinasit marrin tre pikët me shumë vlerë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Cela: “Keqardhje ndjen, sot më ka pëlqyer vetëm shpirti i garës dhe vrapimi i djemëve. Në të gjitha gjërat e tjera kishim shumë probleme. Të gjithë golat ne i pësojmë në 20 minutat e para. Nuk e kuptoj se pse këta djem ndihen inferior. Pas 20 minutave të para, Laci u mundua vetëm të vononte lojën dhe të provonte kundërsulmet. Goli i pësuar? Kishim punuar gjatë gjithë javës dhe e dinim sesi do të provonte Laçi”.
Duro: “Kishim një ekip që po bënte shumë mirë në kampionat, ishte mirë në aspektin psikologjik. Po ndeshej kundër nesh që ishim në vendin e parafundit. Sot nuk ishte fitore rastësi, ekipi zbatoi me përpikmëri të gjitha detyrat që i dhashë. Do të doja që të vija në verë te Egnatia dhe ta ndërtoja ekipin me idetë e mia. Lojtarët janë cilësorë, por ka dy mungesa që mund ta ngrinin më tepër nivelin. Ndeshja shkoi ashtu si e mendova unë. Ekipi i Egnatias nuk është ndërtuar mirë. Në mesfushë janë 2-3 mesfushorë, aty ka 7, është jashtë llogjikës. Në sulm luajnë dy dhe aty gjenden pesë. I kam thënë edhe presidentit që ka harxhuar shumë, por ekipi ndërtohet me pak lojtarë dhe me shumë cilësi”.
Vukicevic: “E dinim që pak nga pak ky ekip do të merrte formën e tij. Më ka pëlqyer shumë ekipi në tre ndeshjet e fundit. Në këto 20 ditët e fundit kemi pasur stërvitje me ritëm të lartë. Na duhej ky trepikësh sot. E dinim që do të ishte ndeshje ndryshe kjo sot pasi Kastrioti luan me zemër deri në minutën e fundit. Objektivi ynë është që të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura. Skema te goli? Është në dorën e lojtarëve, ka raste që del dhe të tjera që jo. Nuk është asgjë e sigurt pasi Teuta shkoi për të fituar me Egnatian jashtë shtëpisë dhe më pas humbi 1-4 me Partizanin. Ujka e ka ndryshuar shumë ekipin. Respekte për të gjithë lojtarët, por nëse dikush më pyet se cilin lojtar nuk do të doja që të dëmtohej kurrë është Ujka”.