Mesi dhe Ronaldo janë në “perëndim”, edhe pse dhe për pak vite do të kemi fatin t’i shohim në fushë. Tani, të gjithë shohin se kush do të jenë “yjet” e rinj që do të marrin skenën. Normalisht që ka disa lojtarë premtues, që kanë statistika të frikshme, por në listë duhet të futet dhe Xhejton Sanço.
Asnjë ndeshje titullar, 125 minuta në 6 sfida, 5 assit, një gol dhe vetëm 18 vjeç. Sanço është njeriu-asist tek Dortmund, por njëkohësisht dhe lojtari me më shumë asiste në 5 ligat më të mëdha të Europës. Pas tij ndodhet Mesi me 4, por që ka qenë titullar gati në të gjitha ndeshjet ndryshe nga anglezi që çdo ndeshje e ka nisur nga pankina.
Duke parë shkëlqimin e talentit në fjalë Dortmund nuk ka humbur kohë, por i ka ofruar një kontratë të re, me detaj financiare të përmirësuara. Në këtë mënyrë Sanço do të jetë pjesë e skuadrës deri në vitin 2022.