Valon Ahmedi do të jetë pjesë e klubit të Shkëndijës për këtë sezon, ndërsa dje erdhi edhe zyrtarizimi për këtë transferim. Kjo do të jetë eksperienca e parë e mesfushorit shiptar në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, megjithëse vetë ka lindur në Ohër. Sipas asaj që raporton “Supersport”, Ahmedi është shprehur mbi këtë transferim, duke treguar se ndihet i lumtur që do i bashkohet klubit të Shkëndijës. Madje për këta të fundit ka thënë se janë historia e të gjithë shqiptarëve.
“Ndihem shumë i lumtur. Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë anëtarët e KF Shkëndija për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, për profesionalizmin e treguar, për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë si futbollist. Përveç faktit se është një kënaqësi e madhe, mund të them se është një privilegj shumë i madh për mua si futbollist, sepse të gjithë e dinë se Shkëndija ka qenë, është dhe do të mbetet historia e gjithë shqiptarëve këtu në vendin tonë.
Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Shkëndijën, sepse rikthehem në vendlindje, në veçanti pranë të familjes time që paraqet një energji dhe diçka që nuk përshkruhet me fjalë, për faktin se deri tani kam luajtur çdo herë jashtë. Mua më mbetet që vetëm me punë, angazhim, me djersë dhe me përkushtim maksimal t’ia kthej besimin Shkëndijës në fushë për gjithçka që kanë bërë deri tani. Të them të drejtën mezi pres të nis punën me grupin”, ka deklaruar Valon Ahmedi./Sport Ekspres/