Prej kohësh në media është përfolur për një raport të ftohur mes Olsi Ramës dhe Ilir Dajës. Megjithatë është vetë drejtori i Partizanti ai që mohon këto fjalë, duke treguar se ka këmbëngulur së bashku me presidentin Demi që trajneri Daja të vazhdojë të qendrojë në krye të pankinës edhe pas rezultateve aspak pozitive. Në një intervisitë për “Sport News” në “News 24” Rama sqaron se i intereson të ketë marrëdhënie të mira si me Dajën, ashtu edhe me ndihmës trajnerët.
“Bashkë me presidentin Demi gjithë kohës ngulëm këmbë që të vazhdonim me ketë staf teknik, duke besuar në aftësitë e stafit dhe duke besuar te fakti se ekipi do arrinte të shprehej në mënyrën e duhur. Futbolli është një sport i bukur edhe për asye se nuk është një shkencë ekzakte. Ndonjëherë nuk merr ato rezultate që meriton, por në fund të fundit çfarë ke mbjellë do të korrësh. Ne presim me kujdes duke ujitur çdo bimë të mundshme që kemi në ekipin tonë që ta japë lulet dhe frutat që duhen në të ardhmen.
Kështu që ngulëm këmbë që të vazhdonim me Dajën. Daja është një trajner që nuk ka nevoj të flas shumë për të. Ka edhe ai një integritet moral të lavdërueshëm. I ka marrë edhe ai përgjegjësitë e veta. Kemi bërë diskutime të hapura me njëri-tjetrin se si ta kalojmë këtë periudhë të vështirë. Mua më intereson të vazhdojë puna. Më intereson të kem marrëdhënie të mira jo vetëm me trajnerin Daja, por edhe me ndihmës trajnerët, edhe me trajnerët e portierëve”, ka thënë ndër të tjera Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/