“I hoqi Napolit të paktën 3 gola”/ Kartoni i kuq nuk vlen, çfarë vlerësimi për Ismajlin: Kur dukej si mbrojtje letre…

Nga Klaudio Ndreca

Ardian Ismajli e ka nisur takimin si titullar në ditën e djeshme ndaj Napolit, atje ku Spezia arriti surprizën e madhe teksa fitoi 1-2 në transfertë. Kjo ishte surpriza e Serisë A që i bashkangjitet edhe humbjes së Interit ndaj Sampdorias. Mbrojtësi shqiptar do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 77, por që nuk prish asgjë për vlerësimin e tij. Për më tepër mund të evitohej lehtësisht nga arbitri pasi bëhej fjalë për një duel ajror me Petagnan, atje ku Ismajli mund ta kalonte edhe me një këshillim.

Kjo ishte ndeshja e dytë që mbrojtësi kuqezi e nis si titullar me Spezian, teksa te e para luajti kundër Interit në “San Siro”. Një paraqitje fantastike dhuroi në atë përballje, ndërsa në njëjtin nivel ishte edhe kundër Napolit. Rasti i Ismajlit na kujton edhe Berat Gjimshitin të disa kohëve më parë, teksa trajneri Gasperini e aktivizonte gjithmonë në ndeshjet me ekipet më të mëdha. Ndërkohë kur bëhej fjalë për përballjet më të lehta në letër do të gjendej në stol. Për të kaluar në periudhën aktuale, atje ku Gjimshiti luan në çdo ndeshje të Atalantës.

Për të kuptuar paraqitjen e Ismajlit në ndeshjen kundër Napolit, mjafton më së miri përshkrimi i ardhur nga media e dedikuar për Spezian, “CitadellaSpezia”. “Vendoset vetëm në ndeshjet më të vështira dhe gjithmonë merr duartrokitje. Pastaj lihet përsëri në stol. Nga Lukaku te Lozani, një tjetër provë solide kundër Napolit, me garancinë e Ismajlit. Mbrojtësi vuri këmbën e tij në të paktën tre raste goli për Napolin, në momentin që mbrojtja e Spezias dukej e përbërë nga letrat dhe kur pritej që të hidhej në erë në çdo sekondë.

Por aty kishte edhe themele të forta si Ismajli. Në formë të shkëlqyer ndaj Interit dhe këtë herë i pakalueshëm në duelet ajrore. Këto janë dy ndeshjet e vetme që ka qenë titullar. Është më i shpejti nga mbrojtësit tanë të tjerë, megjithëse më pak i sjellshëm me këmbëët e tij. Kartoni i dytë i verdhë ishte më tepër falë reagimit të Petagnas sesi nga faji i Ismajlit”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *