Skuadra e Partizanit po zhvillon fazën përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Ekipi i kuq ka larguar deri tani 3 lojtarë, pasi nuk është rinovuar kontrata me Blerim Kotobellin, Idriz Bathën dhe Arbnor Fejzullahin. I vetmi që i ka shpëtuar deri tani largimit është mbrojtësi i krahut të majtë, Renaldo Kalari.
Futbollisti është pa kontratë momentalisht, por po stërvitet normalisht me “demat”. 34-vjeçari ka patur bisedime me drejtuesit e klubit dhe me shumë mundësi do të rinovojë dhe për sezonin tjetër, pavarësisht se ende nuk ka një firmë zyrtare mes tij dhe klubit.
Mbrojtësi duket se do të jetë i vetmi i mbijetuar nga futbollistët që ishin pa kontratë te Partizani. Ai luajti sezonin e tij të 3-të me Partizanin. Kalari ishte titullar në 14 ndeshje në sezonin e shkuar. Kryeqytetasit nuk e kanë luksin ta largojnë, pasi momentalisht është i vetmi mbrojtës me eksperiencë në krahun e majtë.