I falin edhe penalltinë sepse i mahniti! Lojtarët shqiptarë nga Anglia, çfarë e ardhme e pret Shqipërinë…

Shqipëria është duke përfituar pak e nga pak brezin e ri të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që janë shpërngulur në Angli. Fatkeqësisht numrat janë ende të frikshme të shqiptarëve që i drejtohen këtij shteti, në kërkim të një jete më të mirë.

Por nga ana tjetër vëmendja ka qenë e madhe nga Federata për të kërkuar talentet nga ky shtet. Nëse përmendim Anglinë, Armando Broja është i pari që vjen ndërmend, por edhe Armando Dobra është jo pak i njohur për tifozët shqiptarë.

Ndërkohë një tjetër emër që ka spikatur është edhe Anis Mehmeti. Vetëm 20-vjeç dhe për trajnerin do të jetë gati për të luajtur edhe në “Premier League”, duke e quajtur si yllin kryesor të ekipit. Në ndeshjen e fundit kundër Boltonit në League One, Mehmeti ka gabuar nga 11-metrat. Askush nuk i kushtoi rëndësi kësaj pjese dhe të gjithë e morën si detaj për t’u anashkaluar, pasi Mehmeti ishte mahnitës në fushën e lojës.

84% të pasimeve ishin të sakta, i dolën 6 nga 8 driblimet dhe e goditi portën 3 herë nga 4 tentativat. Tifozët e Wycombe janë dashuruar me lojtarin që është pjesë e Shqipërisë U-21. Për të vazhduar më tej, Armelindo Mema është një tjetër futbollist me shumë cilësi. Aktualisht pjesë e QPR U-23, sulmuesi duket se do të ketë karrierë të shndërritshme. Ndërkohë pjesë e Shqipërisë është edhe Renaldo Torraj.

Futbollisti 18-vjeçar ka shënuar një super gol me grupmoshat e Totenhemit së fundmi, si për të shpalosur të gjithë potencialin e tij. Aktualisht pjesë e Totenhemit U-18, Torraj ka shumë cilësi që premtojnë për të ardhmen, ndërsa realizimin e fundit e ka shpërndarë edhe faqja e ekipit të parë të Totenhem.

Të gjithë këta lojtarë tregojnë se koha punon për të ardhmen e ndritur te Shqipërisë dhe se vëmendja e veçantë duhet t’i përkushtohet tokës angleze për talentet që po formohen pasi është një prej shkollave më të mira të futbollit në botë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *