Nga Klaudio Ndreca
Shumë zgjodhën që ta kritikonin dhe shpeshherë ia kanë bërë valixhet gati dhe i kanë prerë biletën për të ikur në Itali, por Reja është ende pjesë e Shqipërisë. Trajneri italian nuk hoqi dorrë kurrë nga skema e tij e preferuar 3-5-2, pavarësisht se kishte gjithë opinionin sportiv kundër tij. Po i njëjti opinion që sot ka tërhequr fjalët dhe po mendohet dy herë, pasi Shqipëria po bën historinë dhe mund të kalojë në Botëror.
A është me fat Reja se ka lojtarët më të mirë që ka pasur Shqipëra në histori apo është aftësia e trajnerit me eksperiencë të madhe në Serinë A që po jep frytet e saj? Këtë nuk mund ta ndajmë dot sot, por ngjashmëria e frikshme e Rejës na vjen me personazhin e filmit të momentit që po thyen të gjitha rekordet, me “plakun” e Squid Game.
Madje edhe në pamjen e parë ka shumë ngjashmëri fizike mes tyre. Por edhe më tepër për vetë mesazhin që kanë në vete të dy personazhet, “plaku” i Squid Game dhe Reja i Shqipërisë. Për të gjithë ata që nuk e kanë parë ende filmin, po ua bëjmë më të thjeshtë. Në një grup me 500 lojtarë që do të triumfonin për çmimin e madh, “plaku” shihej si lojtari më i dobët për shkakun e moshës së thyer.
Të gjithë e tallnin dhe e nënvlerësonin, por në fakt ishte i vetmi që i dinte që të gjashtë lojërat që do të zhvilloheshin me detaje, ndërsa askush prej të tjerëve nuk e kishte këtë informacion. Kështu “plaku” ia dilte në betejat më të pamundura në letër, duke e mahnitur pjesën tjetër të konkurrentëve. E njëjta gjë vlen edhe te Shqipëria, teksa shumëkush zgjidhte që të tallej dhe qeshte kur italiani rrëzohej në konferencë dhe ndeshje. “Nuk mban veten në këmbë, do mbajë Shqipërinë ky?”. Epo, qartësisht edhe Reja i di të gjithë lojërat dhe mban në duar skemën fituese, tashmë i mbetet vetëm lojtarëve që të realizojnë planin e tij. /Sport Ekspres/