Ballkani ka njoftuar sot zgjatjen e bashkëpunimit me Ilir Dajën. Trajneri kryeqytetas shkori historinë në sezonin e tij të parë me suharekasit. Ilir Daja arriti t’i shpallte për herë të parë në histori kampionë të Kosovës, si dhe po për herë të parë në histori i dërgoi në grupet e një kompeticioni europian.
Një sukses i tillë i papërjetuar më parë nuk mund të lihej pa u shpërblyer nga drejtuesit e klubit. Për këtë arsye Ballkani i ka ofruar rinovimin e kontratës edhe për dy vite të tjera. Është vetë klubi nga Suhareka që njofton arritjen e marrëveshjes mes palëve përmes një lajmërimi në faqen zyrtare në “Facebook“.
“Ilir Daja vazhdon kontratën edhe për 2 vite me kampionët! Timonieri që e drejtoi skuadrën tonë në sukseset historike i qëndron besnik FC Ballkanit deri në vitin 2024. Ky është vetëm fillimi, bashkë drejt arritjeve edhe më të mëdha!”, njofton klubi Ballkani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/