Është duke u zhvilluar Kampionati Botëror i 17-vjeçarëve dhe aty po shkëlqen sidomos kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po shkruan historinë. Një grup lojtarësh mjaft të talentuar, që po mahnitin vëzhguesit dhe gazetarët, ndërsa ylli më i madh i kombëtares amerikane është i biri një legjende të futbollit botëror, Zhorzh Ueah.
Bëhet fjalë për Timoti Ueah, i cili po imiton të atin, me cilësinë, shpejtësinë dhe nuhatjen para porte. Në ndeshjen fundit amerikanët shkatërruan 5-0 Paraguain dhe Ueah shënoi 3 gola, një prej tyre fantastik, me gjuajtje nga jashtë zone.
Timoti ka lindur në Nju Jork dhe nëna e tij është amerikane, ndërsa në vitin 2014 kaloi nga akademia e Nju Jork Red Bull tek ajo e PSG-së. Në Francë i luten prej kohësh që të përfaqësojë Francën, ashtu si Liberia i kujton rrënjët e tij, por Timoti ndihet amerikan dhe ka zgjedhur të luajë për Amerikën.