“I bëra dhuratë vetes një makinë sa ika te Dinamo Zagreb”, Lirim Kastrati: Cokaj do firmosi me ekip të madh

Lokomotiva e Zagrebit është kthyer si një shtëpi e dytë për futbollistët shqiptarë, teksa u ka hapur dyert e saj plot 5 prej tyre. Madje në klubin kroat kanë filluar t’i njohin edhe me nofkën “banda e shqiptarëve”. Të gjithë janë duke bërë mirë me fanellën e skuadrës kryeqytetase, ndërsa paraqitjet e tyre kanë rënë në sytë e ekipeve më të njohura. Uzuni përflitet për një kalim në një kampionat më të fortë, ndërsa Kastrati e ka hedhur firmën e re për gjigantët kroatë të Dinamos së Zagrebit.

Lirim Kastrati ka qenë ditën e sotme i ftuar në emisionin “Fan Zone“, ku ka konfirmuar faktin se të gjithë futbollistët shqiptarë po zhvillojnë një sezon mjaft të mirë në elitën kroate. Ndërkaq, sulmuesi dardan rrëfen se me zor pret të luajë për ekipin e ri, si dhe zbulon se për këtë transferim i ka bërë menjëherë vetes së tij dhuratë një makinë. Gjithashtu nuk i kursen fjalët e mira edhe për Cokajn, për të cilin shprehet se në mos këtë verë në tjetrën do të firmosë me ndonjë klub të madh.

“Po këtu te Lokomotiva jemi të gjithë në formë të mirë, edhe Myrto Uzuni ka shënuar 9 gola dhe besoj do shkojë në ndonjë ekip më të mirë. Por edhe unë ndihem shumë mirë. Gjithashtu edhe Enis Cokaj është një mesfushor mjaft i mirë dhe te Lokomotiva kanë shumë besim te ai. Nëse nuk largohet këtë verë, atëherë vitin tjetër me siguri do të shkojë te ndonjë ekip i madh. Jemi afër arritjes në Europë, megjithëse mua më pëlqejnë shumë sfidat e reja dhe mezi po pres që të shkojë te Dinamo e Zagrebit. Kam firmosur atje dhe sa e bëra të mundur këtë arritje, ia bëra dhuratë vetes një makinë”, ka thënë Kastrati./Halit Delibashi-Sport Eskpres/