Kristjani nuk është i vetmi person i njohur në familjen Asllani. Mesfushori i Interit njihet në Itali për aftësitë e tij në futboll, por në rrjetet sociale vëmendje të gjerë ka edhe vëllai i tij, Emanueli. Ky i fundit ka përfunduar edhe në faqet e gazetave italiane për shkak të pasionit të tij për shpejtësinë dhe për makinat luksoze.
“Tuttosport”-i ka shkruar një artikull për vëllain e madh të Kristjan Asllanit, i cili njihet për videot që poston në rrjetet e tij sociale, ku ndiqet nga një numër i madh personash. Makinat e shtrenjta dhe dozat e ironisë nuk mungojnë asnjëherë në postimet e tij.
“Shumë njerëz e njohin Kristjan Asllanin, mesfushorin e Interit, por të gjithë në rrjetet sociale e njohin Emanuelin, vëllain e madh të çmendur pas supermakinave. 28-vjeçari shqiptar është në fakt shumë i njohur në “TikTok” dhe në “Instagram” (ku numëron mbi 380 mijë ndjekës), ku publikon video ironike duke drejtuar makina luksoze ekscentrike dhe origjinale.
I riu shqiptar i bazon tërësisht faqet e tij zyrtare në makinat luksoze: Lamborghini, Ferrari, Mercedes e shumë modele të tjera me çmime tejet të larta. Në të gjitha këto makina, influencuesi shfaqet në “Instagram”-in e tij dhe në “TikTok”-un e tij teksa lëviz me shpejtësi nëpër rrugët e Milanos, duke treguar atë prestigj të shfrenuar që vetëm makina të tilla mund të rrënjosin. Aspekti më i mirë i pasionit të tij, megjithatë, është se çdo xhirim dhe video ka gjithmonë atë majë ironie që nuk e bën atë kurrë të neveritshëm dhe asnjëherë mendjemadh, por përkundrazi jashtëzakonisht argëtues”, ka shkruar “Tuttosport”-i në artikullin e tij për Emanuel Asllanin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/