Mauricio Sarri nuk është më trajneri i Lacios, por duket se nuk është i vetmi largim nga bardhekaltrit. Rrugën e tij mund ta ndjekë edhe Elseid Hysaj. Mbrojtësi shqiptar numëron vetëm 22 paraqitje këtë sezon dhe ndërrimi i trajnerit ka shtuar shqetësimin për mungesë aktivizimi te lojtari shkodran.
“Corriere Dello Sport” bën me dije se Hysaj po mendon largimin nga Lacio. Media në fjalë raporton se futbollisti i Kombëtares kuqezi ka diskutuar edhe me presidentin Lotito për këtë çështje. Shkodrani i ka thënë presidentit të klubit se në rast mosaktivizimi do të zgjedhë largimin në fund të këtij sezoni. Tani vendimi përfundimtar mbetet në duart e trajnerit Tudor, i cili do të zgjedhë nëse e ka në planet e tij Elseid Hysajn./Halit Delibashi-Sport Ekspres/