Do të jetë një verë e gjatë për Elseid Hysajn: pushime, por me telefon në dorë, duke parë Botërorin dhe duke pritur ndonjë lajm nga Napoli. Aty ka ardhur Karlo Ançeloti një emër që garanton sukses, edhe pse mbetet gjithnjë pikëpyetja nëse mjafton një trajner i madh për ta brë Napolin fitues. Tashmë 24 vjeç, Hysaj mund të quhet në kulmin e karrierës dhe tre sezone si i paprekshëm te Napoli janë shumë, nuk mund të mos bien në sy te klubet e mëdhenj. Juventusi e ka ngacmuar me kohë Napolin, por Hysaj bardhezi është një diskutim i pamundur, sepse Napoli nuk mund t’i japë rivalit kryesor një ndër yjet e vet. Iku Higuain, por kishte një klauzolë, ndërsa Hysaj nuk ka klauzola për transferim brenda Serisë A. Po jashtë saj? Këtu ndryshon historia…
SIMEONE E DO NË MADRID – Hysaj ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh, për klubet e huaj që e duan deri në fund të qershorit. Shifra të frikshme? Në këto kohëra 50 milionë po paguhen edhe për lojtarë stoli në Angli, ndaj Napoli me shumë gjasa po mendon rinovimin me Hysajn dhe rritjen e klauzolës për prishjen e kontratës. Megjithatë, koha punon kundër Napolit dhe Atletiko e Madridit mund të ndërhyjë. Gazetari italian Alfredo Pedula raporton se në orët e fundit klubi madrilen ka kontaktuar agjentin e Hysajt, por edhe Napolin, për t’u informuar nëse ekziston mundësia e negociatave për mbrojtësin e kombëtares sonë. Simeone kërkon një mbrojtës të djathtë të besueshëm dhe është gati t’i japë Napolit një lojtar interesant si kroati Vërsaljko, i cili edhe në të shkuarën është kërkuar nga klubi italian. Alternativë për Atletikon është Lirola i Sasuolos, ndërsa Napoli nuk e ka me ngut, sepse gjatë verës, nëse ndonjë klub e do Hysajn, me shumë gjasa do të ofrojë më shumë se Atletiko.
Nëse Mauricio Sarri merr Çelsin, nuk është çudi që Hysaj të dalë hapur, duke kërkuar kalimin në Londër, edhe pse agjenti i tij, Mario Xhufredi, nuk krijon rrëmujë: “Hysaj është i Napolit dhe do të mbetet i Napolit. Kemi nisur të flasim për rinovimin e kontratës, është ende shumë i ri dhe do të bisedojmë me Napolin për të ardhmen e tij”.