Shkodrani mun të rikshkruajë historinë e shqiptarëve në Itali, atë që thuajse treçerek shekulli më parë e bëri gjakovari me Romën. Dhe, ky mund të jetë viti i fundit, pasi në verë…
Speciale nga Anton Cicani
“Napoli është një qytet i veçantë, një qytet ku të gjithë pinë kafe ashtu si në Shkodër. Në rrugë dhe në lagje sheh shumë kafene…”. Në Shkodër preferojnë që të pedalojnë me biçikleta, por Elseid Hysaj vendosi që një ditë të ngjitej në një “anije kozmike” dhe fluturoi aq larg sa sot kur kthen kokën pas kujton disa copëza të fëmijërisë, kur vishte fanellën me baltë dhe djersë të ekipit KF Shkodra, me mjeshtrin Taip Piraniqi që kultivonte një brez të talentuar lojtares.
Nga Diego… – Elsi ende nuk kishte lindur kur Diego Armando Maradona mrekullonte stadiumet e kampionatit italian të futbollit dhe i jepte titullin e fundit Napolit (i dyti në historinë e klubit, po me “El Pibe d’Oro”-n protagonist). Ishte maji i vitit 1990 dhe në Shqipëri një regjim totalitar po “jetonte” ditët e fundit përpara shembjes së madhe. Familja e Hysajt jetonte në Shkodër dhe vetëm në vitin 2003, i ati Gëzim, vendos të rrezikojë në emigrim, duke kaluar Adriatikun dhe gjendur në Itali, aty ku nis punën si murator… Më pas, historia e jetës së mbrojtësit rrjedh edhe si nëpër filma, deri kur nga të rinjtë e Empolit e gjen veten në ekip të parë dhe me mister Sarrin përmirësohet dhe rritet, për të hedhur hapin e madh: ai vjen në verën e vitit 2015, kur më 3 gusht, transferohet në “San Paolo”, aty ku Diego Armando Maradona bëri që shumë fëmijë të ëndërronin… “Në fillim ishte e vështirë, sepse të vendosja të lija një realitet si Empoli, pa shumë presione, për të firmosur me Napolin, quhej një hap i madh për mua në karrierë, por unë jam një që i pëlqen të luajë dhe frikën nuk e njoh…
Kur firmosa në verë, kurrë nuk e mendova se do të zhvilloja një sezon të tillë”, do të deklaronte pas vitit të parë “napoletan”. Në Napoli, ëmbëlsira tradicionale quhet “babba”, por Elsi u ëmbëlsua më shumë me dashurinë e njerëzve, aq sa sot mund ta thotë me plotgojë se “nëse do të fitojmë titullin, nuk e di se çfarë do të ndodhë në qytetin e Napolit, duke qenë se këta njerëz, ky popull, jeton për skuadrën dhe japin një mbështetje të jashtëzakonshme. Ne duam t’i dhurojmë këtë ëndërr, ta rikthejme trofeun e kampionit që pas kohës së Maradonës”.
Rekordi i Kryeziut – E ndërsa Hysaj nuk kishte lindur ende në kohën kur Napoli fitonte titullin e fundit kampion, i ati i tij, Gëzimi, që edhe i dha shansin e jetës, gjithashtu nuk kishte ardhur në dritë, kur i vetmi shqiptar fitonte titullin kampion në Itali. Bëhet fjalë për vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore, nën regjimin fashist të Benito Musolinit (“Il Duce”), kur Naim Kryeziu (Krieziu sipas italianëve) do të shpallej kampion italie me romën, duke shënuar 6 gola. Ishte sezoni 1941-1942… Historia e Kryeziut është ajo që ndoshta shumë do të dëshironin. Luan 9 kampionate të Serie A, rekord absolut për një shqiptar , dhe bëhet kampion i Italisë, i vetmi shqiptar sot e kësaj dite. Me 9 kampionatet e tij të Serie A, ai arkivon “2” mbi Riza Lushtën, një tjetër shqiptar që provoi magjinë e futbollit italian në vitet e luftës dhe trazirave. Dhe nëse Lushta është fitues i Kupës së Italisë me Juventusin më 1942, Naim Kryeziu është kampion i Italisë me Romën, po më 1942.
Kishin qenë bashkëlojtar të Sportklub Tiranës së tyre dhe papritmas shfaqen si kundërshtarë. Pikërisht java 22-të e Serie A, ndeshja Roma-Bari e 10 marsit 1940, një duel spektakolar i një goli po të këtillë të Lushtës. Por, ajo është një histori tjetër… Sepse, shumë vite më pas, edhe Lorik Cana me Thomas Strakoshën, do të fitojnë Kupën e Italisë në sezonin 2012-2013. Ndërsa mbrojtësi ishte protagonist në fushë, portieri ende ishte në “embrion”.
Nismëtarët – Në fakt, Kryeziu, Lushta dhe Boriçi ishin të nismëtarët ose ambasadorët e parë shqiptarë në Itali, përgjatë viteve ‘40- ’50 të shekullit të shkuar. Më pas, vijuan Erjon Bogdani dhe Igli Tare (pak Ervin Skela), ndërsa në dekadën e fundit, shqiptarët janë shumëfishuar. Aq sa sot, nëse hedh një sy mes Serisë A dhe Serisë B, pa konsideruar kategoritë më të ulëta dhe moshat, gjen të paktën pesë në elitë (Memushaj, Gjimshiti, Hysaj, Berisha, Strakosha) dhe katër në kategorinë e dytë (Vajushi, Ndoj, Basha dhe Veseli)… Por, ëndrra më e madhe mbetet ajo e Hysajt, që do të tentojë të lërë gjurmë, duke u bërë i pari shqiptar që fiton titullin në formatin Serie A Tim.
Shansi i fundit? – Ndoshta mund të duket habi, por ku pritet të jetë shansi i fundit për Elseid Hysajn që të fitojë titullin me Napolin. Në fakt, duhet theksuar se në fund të sezonit, shumë futbollistë të Napolit mund të largohen në rast se nuk vjen trofeu i shumëkërkuar. Edhe trajneri Sarri ka oferta nga klube “big”, ndërsa Mertens, Kajehon, ose edhe Insinje janë me një këmbë jashtë. Ashtu sikurse edhe Hysaj, që ka ardhur në momentin më të rëndësishëm të karrierës dhe është gati edhe për një kapërcim tjetër.