Të mirin e duan të gjithë, por ai që e ka mundohet gjithmonë ta mbajë fort. Elseid Hysaj është përfolur shumë për një largim nga Napoli, por menaxheri i tij e ka shprehur gjithmonë se mbrojtësi dëshiron të qëndrojë. Shkodrani është nga ata që kushton dhe asnjë klub nuk i pagoi dot 50 milionët e klauzolës.
Çelsi thuhet se ka ofruar deri në 42 milionë euro, por presidenti Aurelio De Laurentis nuk e lëshon fort kollaj dhe prej kohësh po i përgatit rinovimin deri në vitin 2023 dhe përfitimet për Hysajn mendohet se do të shkojnë në 2.5 milionë euro në sezon.
Pas pushimeve në Shqipëri, shkodrani ka zbarkuar në Napoli dhe së bashku me shokët e skuadrës ka kryer testet mjekësore siç ndodh para fillimit të çdo sezoni dhe Hysaj tani do ketë mundësinë të punojë me një trajner si Karlo Ançeloti. Për gjashtë vite mbrojtësi ka qenë nën urdhrat e Sarrit, fillimisht tek Empoli dhe më pas te Napoli.