“Hysaj është inteligjent në mbrojtje, mos prisni të driblojë nga dy lojtarë“, Kapllani: Brezat e rinj nuk e kanë frymën për të dhënë maksimumin

Edmond Kapllani ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku ka komentuar ekipin tonë kombëtar. Ish-sulmuesi i Shqipërisë tregon se skuadrës i mungojnë kombinimet në fazën ofensive. Më tej Kapllani shpjegon se brezat e rinj kudo në botë nuk kanë të njëjtën dëshirë për fanellën e Kombëtares. Ish-lojtari i Kombëtares merr në mbrojtje Elseid Hysajn, teksa shprehet se aftësitë e tij janë në fazën mbrojtëse dhe nuk duhen patur pritshmëri për të dribluar në fazën sulmuese. Sa i përket Brojës, Kapllani e këshillon të lu.ftojë më tepër për të marrë në zotërim topin, pasi Kombëtarja jonë nuk është si Chelsea apo Southampton-i që krijojnë më tepër raste.

“Po të luash në këtë sistem duhet të bëhet një ekip homojen. Lojtarët që luajnë, sidomos në pjesën ofensive, duhet të kuptohen me njëri-tjetrin. Kur luhet me dy sulmuesa, duhet të kombinojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Njëri e kërkon topin poshtë dhe tërheq tjetrin. Nuk i kam parë shumë këto alternime. Asllanin para një viti nuk e njihja fare, por po shkëlqen në Itali. Po ashtu edhe Bajrami. Kemi shumë talente të reja. Nuk jemi në gjeneratat si para 10-15 viteve. Rriten me një frymë tjetër në futbollin europian. Nëse fitojnë, fitojnë. Nëse humbin, humbin. Nuk e kanë atë frymën për të dhënë maksimumin. Kam punuar edhe dy vite me moshat. Edhe në Gjermani janë të ardhur, nga Turqia, apo nga Maqedonia. Nuk e kanë të frymën.

Po të shoh formacionin me Izraelin, unë me Berishën, Hysajn dhe Abrashin kam luajtur. Abrashi e ka atë egon në fushë, ndoshta nuk është aq sa Lorik Cana. Berisha ishte shumë komunikues në fushë. Ndërsa Hysaj në fillim ishte pak i ndrojtur. Po eksperimentojmë jashtëzakonisht shumë. Hysajn nuk e shohim djathtas, por majtas. Është shumë lojtar i mirë, në lojën një kundër një mbrapa është shumë inteligjent. Por nuk mund të dalë përpara. Nuk mund të presim që të driblojë një apo dy lojtarë.

Broja është një lojtar që e kam ndjekur shumë së fundmi. Është jashtëzakonisht shumë lojtar i talentuar. Mendoj që pas një viti do ndryshojë akoma më shumë, por duhet të jetë më aktiv në fushë. Ai nuk mund të presë vetëm të pasojë, sepse Kombëtarja nuk është Southampton-i apo Chelsea. Për pasimin e fundit shoh Bajramin që është super lojtar. Por Bajrami do kohën e vetë“, ka deklaruar Edmond Kapllani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *