Liverpulit i ka ikur mundësia për të fituar në derbi ndaj Evertonit teksa VAR ka ndërhyrë në sekondën e fundit për t’i prishur festën Henderson. Shifrat do të shkonin në 2-3 dhe pamjet e tregojnë qartësisht se nxjerrja e Manes në pozicion jashtë loje anon më shumë nga “krimi” sesa nga drejtësia.
Trajneri Jurgen Klop është shprehur menjëherë për mediat se sapo ka shkuar në dhomat e zhveshjes ka parë futbollistët që kërkonin përsëritjen e atij rasti. “Në dhomën e zhveshjes, pashë lojtarët me laptop që shikonin situatën. Sinqerisht që nuk e kuptoj. E mbështes VAR, të gjithë më thonë se nuk ishte pozicion jashtë loje dhe nuk jam në humor të mirë.
Pastaj edhe në rastin e Van Dijk. Ishte një penallti e pastër ajo ndërhyrja e Pickford. Pastaj është dhënë për pozicion jashtë loje, por nuk erdhi vendimi për një faull në atë rast. Nuk kemi fuqi, çfarë të them”, u shpreh Klop. /Sport Ekspres/