Televizioni i Benfikës ka bërë një gafë të rëndë në Portugali, sepse ka ngritur një tymnajë të kotë, bazuar në një gënjeshtër. Një gazetar i televizionit të klubit portugez, i cili është i famshëm për idiotësitë e tij, deklaroi para pak ditësh se Daily Mail në Angli ka publikuar pak kohë më parë renditjen e klubeve të përfshira në skandalet më të mëdha të korrupsionit.
Sipas gazetarit portugez, Marseja ishte e para, ndjekur nga Juventus e Porto, ndërsa Milan e Fiorentina janë në vendet 6 e 7.
Po në vendin e tetë? Tomori i Beratit! Se ç’lidhje ka Tomori me skandalet më të mëdha të futbollit në botë, vetëm gazetari portugez e di, sepse të paktën mund të përmendte ndonjë “peshk” më të madh nga kampionati ynë, duke parë që shpesh klubet tona akuzohen për trukime në kupat e Europës.
Absurditeti qëndron te fakti që Daily Mail ka përgënjeshtruar, duke mohuar të ketë publikuar ndonjëherë një renditje të tillë. Porto ka kontaktuar zyrtarisht me gazetën britanike, që ka mbetur e habitur nga lajmi.
Kjo ka bërë që Porto t’i kundërpërgjigjet Benfikës, duke e kërcënuar me padi për shpifje, ndërsa i ka kërkuar edhe Juventusit e Marsejës të reagojnë, për atë që duket një sulm me gënjeshtra i dirigjuar nga Benfika për të hedhur baltë sidomos mbi Porton.