Lojtarët kanë marrë vetëm 1/3 e pagës mujore dhe kuptohet që ka pakënaqësi. Tani u duhet të luajnë për të mbajtur veten në treg
Arjan Likja
Prej javësh skuadra myzeqare nuk po arrin të marrë pikë. Pika e fundit është barazimi me Luftëtarin në “Roza Haxhiu”, ndërsa më pas verdhejeshilët kanë pësuar humbje të njëpasnjëshme, e fundit në Korçë ndaj Skënderbeut. Loja deri diku ka qenë e kënëqshme, por është fakt që Lushnja pëson shumë gola dhe duket se deri në fund të kampionatit, edhe pse thuhet se do të respektohet gara, është e vështirë të marrë pikë.
FINANCAT – Në këtë paraqitje të javëve të fundit të skuadrës lushnjare ka ndikim edhe ana financiare. Nga burime pranë lojtarëve mësohet se ata kanë marrë vetëm 1/3 e rrogës mujore dhe kuptohet që ky fakt ka sjellë pakënaqësi. Duket se drejtuesit e Lushnjës nuk po e vrasin më mendjen për futbollin, pasi skuadra është e rënë një kategori më poshtë. Tani lojtarëve të Lushnjës u mbetet të luajnë për veten e tyre, në mënyrë që të mbajnë veten në treg dhe sezonin e ri të kalojnë në një ekip tjetër, pasi te Lushnja gjithçka ka mbaruar për ta, edhe pse janë edhe 12 ndeshje për t’u luajtur. Nga të njëjtat burime mësohet se ende nuk është likuiduar financiarisht edhe ish-trajneri Hysen Dedja, i larguar pak kohë më partë nga stoli i Lushnjës.