Trajneri i Totenhemi, Antonio Conte, ka parë sesi tre miqtë e tij të ndërrojnë jetë në fare pak kohë. Tekniku i fitnesit të Totenhemit, Ventronte, ndërroi jetë në tetor, më pas Sinisa Mihajlovic dhe Gianluca Vialli.
Duke parë të gjithën këtë situatë, Conte mendon edhe për një largim të mundshëm nga futbolli. “Sigurisht, ky sezon është i vështirë nga pikëpamja personale. Të humbasësh në një kohë kaq të shkurtër tre persona që i njihja shumë mirë, fillimisht Ventrone, më pas Mihajlovic dhe tani Gianluca.
Nuk është e lehtë. Kur ndodh një situatë e tillë, të bën të mendosh ndryshe sepse shumë herë ne i kushtojmë shumë rëndësi punës sonë dhe harrojmë familjen. Ky sezon është i vështirë për mua nga aspekti personal dhe ky sezon më bën të mendoj për të ardhmen time.
Ndoshta ndonjëherë harrojmë të qëndrojmë me familjen, harrojmë të kalojmë kohë me miqtë. Por është pasioni ynë dhe për shkak të pasionit humbasim shumë gjëra. Kur ndodh një situatë e tillë, fillon të mendosh se është mirë t’i kushtosh kohë familjes, miqve dhe vetes. Puna nuk është gjithçka në jetë”, shtoi ai. /Sport Ekspres/