Cristiano Ronaldo ka folur për herë të parë sa i përket akuzave për përdhunim që e lidhnin me Kathryn Mayorga. Mediat folën shumë rreth kësaj teme, ndërsa ylli portugez ka folur hapur rreth kësaj teme, duke u shprehur se po luhej me dinjitetin dhe ndershmërinë e tij.
Në intervistën për “Good Morning Britain”, sulmuesi i Juventusit ka shpërthyer në lot kur i është shfaqur imazhi i babait që ka ndërruar jetë për shkak të teprimit me pijet alkoolike. Pikërisht njeriu më i afërt i Ronaldos, nuk mundi të shihte asnjë prej arritjeve të tij.
“Që të jem numri një pa e ditur ai kurrë, pa më parë që të marrë një çmim, pa parë kampionin që jam bërë, kjo më trishton”, ka thënë Ronaldo mes lotëve.
“Sa i përket temës së akuzave, ata po luanin me dinjitetin dhe ndershmërinë time. Është vërtet shumë e vështirë kur ti ke një partnere dhe fëmijë. Isha në shtëpi duke parë TV me familjen time. Dëgjova disa gjëra të pakëndshme dhe më duhej të ndërroja kanal, pasi u ndjeva në siklet”, përfundoi portugezi. /Sport Ekspres/