Humbi penalltinë/ Ibrahimoviç e merr me të qeshur: Sepse më mungon “Curva”, herë tjetër nuk gjuaj më

Milani nuk ka arritur që të marrë fitoren ndaj Veronës duke zhgënjyer në këtë javë të kampionatit italian. Kuqezinjtë janë ndalur në barazimin 2-2, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç do të gabonte sërish nga pika e bardhë e penalltisë.

Shënjestra nga 11-metrat ishte tërësisht për t’u harruar, ndërsa topi shkoi shumë larg portës. Megjithatë sulmuesi suedez nuk e lë kurrë vendin që të kritikohet pasi do të rezultonte vendimtar me golin e dytë që vendosi edhe për baraspeshën përfundimtare. Ndërkohë në intervistën e dhënë pas ndeshje Ibrahimoviç nuk ngurron që ta kalojë me humor këtë moment.

“Unë nuk do e godas më penalltinë në herën tjetër, tani i takon Kessie. Më mungon shumë “Curva”, tifozët tanë, prandaj e dërgova topin atje. (qesh) Kemi bërë gabime që nuk i kryejmë normalisht, sidomos në markime. Përgjegjësia bie tek të gjithë ne. Nuk jemi të lumtur dhe duhej të kishim fituar, jo të humbisnim besimin. Por le të bëhemi pozitiv. Mos të harrojmë situatën e mëparshme dhe ku ndodhemi tani. Përpara ndeshjes me Lilën kishim 24 fitore”, ka thënë Ibrahimovic. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *