Barcelona ka humbur sot ndeshjen përballë Atletikos së Madridit, e bashkë me të ka humbur edhe kreun e renditjes në La Liga. Ekipi i Diego Simeones ka marrë tre pikët në minutën e 96, kur Sorlothi përmbysi shifrat në 1-2. Hansi Fliku ka thënë përpara mediave se ndihet i zhgënjyer nga rezultati, por aspak nga mënyra e lojës. Madje, gjermani shton se ky është stili i lojës të cilin dëshiron që ta shohë edhe në të ardhmen te Barcelona.
“Luajtëm një ndeshje brilante. Ishte e pabesueshme mënyra se si luajtëm. Mund të them se jam shumë krenar. Jam i zhgënjyer me rezultatin në fund, por kjo tregon gjithashtu që Atletikoja është një ekip me përvojë. Ata po prisnin për këtë moment dhe për ta kjo është mjaftueshëm. Kjo është mënyra se si duam të luajmë në të ardhmen. Le ta marrim për vitin e ardhshëm. Jemi pak të zhgënjyer përpara ndërprerjes së kampionatit, por do të kthehemi përsëri. Do të punojmë fort dhe do të stërvitemi fort”, ka deklaruar ndër të tjera Hansi Fliku./Sport Ekspres/