Tirana U-17 dhe Partizani U-17 janë përballur ditën e sotme në finalen e Kupës së Shqipërisë për këto grupmosha. Bardheblutë kanë turpëruar kundërshtarin, i cilië është dhe rivali i tyre i përjetshëm. Ndërkohë në 2 golat e fundit të pësuar pesha e fajit i takonte “të kuqve”. Fillimisht me gafën e portierit dhe më pas me një vendosje absurde të mbrojtjes, që u kishte dorëzuar zonën lojtarëve kundërshtarë.
Pas përfundimit të kësaj finaleje, trajneri i 17-vjeçarëve të Partizanit ka dhënë edhe një prononcim për “RTSH Sport”, ku shprehet se padyshim ndjen keqardhje për humbjen. Gjithashtu Pelinxhi tregon se ndikon edhe numri i ndeshjeve të luajtura në javë, ndërsa shton se problemi në mbrojtje e ka shoqëruar përgjatë gjithë kampionatit.
“Kemi ardhur deri këtu me shumë mund dhe sakrifica. Nuk ka qenë e lehtë. Ka të bëjë edhe numri i ndeshjeve. Bëjmë nga dy ndeshje në javë, edhe lodhemi. Ndikon edhe kjo. Tirana mund të them se ishte më mirë se ne, por arritën ta zgjidhnin ndeshjen me disa elementë cilësorë që i ka në skuadër.
Sigurisht që më bjen keq që nuk fituam. Problemin në mbrojtje e vuajtëm sot, por është një problem që e kemi vuajtur gjatë gjithë kampionatit. Shpresoja ta rregulloja me afrimin e ndonjë elementi cilësor, megjithëse kjo nuk ndodhi”, ka thënë Pelinxhi./Sport Ekspres/