Dita e sotme ka qenë një ditë zie për ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Valdet Rama. Sulmuesi ka humbur babain e tij, i cili është ndarë nga jeta. Në këto momente të vështira që ndodhet lojtari shqiptar, kreu i Federatës Shqiptare të futbollit i vjen pranë dhe shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta në drejtim të Ramës. Armand Duka ka përcjellë në emër të tij, Federatës, por edhe të Kombëtares shqiptare, fanellën e së cilës Rama e ka mbajtur veshur në të shkuarën, mesazhin ngushëllues për këtë humbje të madhe të lojtarit 32-vjeçar.
“Mësova me hidhërim të thellë lajmin e ndarjes nga jeta të babait të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Valdet Rama! Në këtë moment të vështirë për Valdetin dhe familjen e tij dëshiroj t’i përcjell në emrin tim, por edhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Kombëtares shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!“, shkruan Armand Duka në llogarinë e tij në “Facebook“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/