Tirana humbi 1-0 përballë Teutës së Durrësit ditën e djeshme duke humbur mundësinë për të ruajtur distancën prej 9 pikësh me rivalët më të afërt, Kukësin. Durrsakët ishin futur vetëm me një qëllim të vetëm, fitoren. Për këtë arsye ata zhvilluan një lojë mjaft agresive, duke u ndëshkuar 7 herë me kartonin e verdhë. Gjithashtu edhe lojtarët e Tiranës e humbin durimin dhe në minutën e fundit e 95-të Celhaka u largua nga fusha e lojës me karton të kuq.
Pavarësisht se nuk e mendonin humbjen, tifogrupi kryesor i kryeqytetasve, “Fanatiks”, vazhdojnë ta përkrahin njësoj ekipin e tyre të zemrës. Në një postim në Facebook, faqja zyrtare publikoi një foto të tifozëve, ku gjenden në shkallët e një ndërtese të vjetër, e cila të jepte mundësinë për të parë ndeshjen pavarësisht se në shkallët e stadiumit nuk lejohet asnjë mbështetës. Mbishkrim i kësaj fotografie “Sa të kem zo, do të këndoj”.
Fanatiksat kanë treguar edhe njëherë se janë një nga tifozeritë më të zjarrta në kampionatin shqiptar. Ekipi i tyre i zemrës ka qenë për vite me radhë në moment të vështira, ku vuajtën dhe rënien nga kategoria, megjithatë ky grup asnjëherë nuk e braktisi. Këtë vit, Tirana është shumë pranë fitimit të titullit kampion dhe tifozët mezi po e presin për të festuar. /Sport Ekspres/