Huazimi i Hysenit habit Duron: Unë nuk di asgjë!

Trajneri i Flamurtarit flet për përgatitjet, miqësoren dhe për lajmin e kalimit të mesfushorit te Luftëtari. “Unë e kam thënë që nuk largoj njeri nga skuadra”

Elton Nika

Kushte optimale për zhvillimin e fazës përgatitore në Antalia, aty ku është akomoduar Flamurtari. Të tilla i cilëson kushtet e gjetura vetë trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro. Kreu i pankinës kuqezi tregon se në ditët në vijim do të ketë intensifikim të përgatitjeve, si dhe do të zhvillohen ndeshje miqësore, që konsiderohen mjaft të vlefshme në këtë periudhë. Nga Turqia, Duro flet edhe për merkaton dhe pjesën e dytë të sezonit futbollistik, që e pret edhe më të vështirë.
Profesor, si kanë shkuar këto ditë të para në Antalia?
Është vetëm fillimi, por mund të them se kushtet janë ideale, si në aspektin e stërvitjes, ashtu edhe në atë të akomodimit. Gjithçka është perfekte. Kemi nisur me një seancë ditën që mbërritëm në Antalia, ndërsa tashmë po zhvillojnë nga dy seanca stërvitore, gjatë paradites dhe pasdites. Padyshim gjithçka do të intensifikohet më tej.
Gjatë qëndrimit në Turqi janë programuar edhe miqësore
E kam thënë që në fillim të nisjes së përgatitjeve, kemi menduar të zhvillojmë tre ndeshje miqësore gjatë qëndrimit tonë këtu. Ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme në këtë periudhë, pasi na japin mundësinë të shikojmë gjendjen e lojtarëve. Por siç e kam thënë, nuk ka shumë rëndësi emri i kundërshtarit. E rëndësishme mbetet që gjithçka të vijojë normalisht dhe të zhvillojmë një fazë sa më cilësore.
Sa i përket merkatos, a mund të quhet e mbyllur?
Pa dyshim, ky është ekipi që kam, skuadër që e bëra të ditur edhe para nisjes drejt Antalias, në testin që zhvilluam ditën e diel në Vlorë përballë ekipeve të moshave. Mendoj se merkato është e mbyllur, ashtu si edhe kam thënë, me katër afrime që tashmë dihen dhe janë konfirmuar te Flamurtari. Nuk mendoj se do të ketë diçka tjetër në këtë drejtim.
Alesio Hyseni është drejt huazimit te Luftëtari?
Nuk di gjë rreth këtij fakti. Futbollisti është duke zhvilluar stërvitjen me Flamurtarin, pra bashkë me pjesën tjetër të skuadrës që ndodhet këtu në Antalia. Pra, nuk di gjë rreth këtij fakti, apo ndonjë lëvizje e mundshme në këtë drejtim. Unë e kam thënë që nuk largoj njeri nga skuadra, kjo varet nga vetë lojtarët dhe çfarë mund të kenë ndonjë kontakt tjetër. Kjo ishte edhe për të gjithë lojtarët.
Së fundmi, mendoni se pjesa e dytë e sezonit do të jetë më e vështirë?
Padyshim që po, pasi edhe skuadrat e tjera kanë ndërhyrë në këtë periudhë të merkatos, duke u përforcuar aty ku kanë pasur nevojë. Megjithatë tashmë rëndësi kanë vetëm përgatitjet, pasi kjo është një periudhë shumë e rëndësishme për të përballuar më pas me sukses pjesën e dytë të kampionatit, ku para është jo vetëm kampionati, por edhe Kupa e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *