Tirana duket se e ka lënë prapa momentin e vështirë dhe ka gjetur fitoren e tretë radhazi me në krye Orges Shehin. Këtë herë bardheblutë ia kanë dalë kundër Kastriotit 1-2, që ka rezultuar si “kockë e fortë” për të gjitha ekipet në Superiore. Taulant Seferi do të gjente golin e parë të takimit në minutën e 20 për të ekzekutuar saktë 11-metërshin, ndërsa zgjodhi që të festojë me stafin teknik të skuadrës.
Hoxhallari do të dyfishonte shifrat me një goditje dënimi e cila ishte për kornizë në minutën e 58, ndërsa Kastrioti do të përgjigjej me aksionin model vetëm pak minuta më vonë, ku krosimi i ardhur nga krahu i majtë do të shfrytëzohej më së miri nga Devid. Pas kësaj fitore Tirana i afrohet me 4 pikë Partizanit përpara derbit, megjithëse duhet të presë edhe rezultatin e të kuqëve ndaj Skënderbeut në orën 16:00.
Ndërkohë nga krahu tjetër Bylisi ka surprizuar Teutën në rrugën drejt titullit kampion. Bregu do të realizonte golin e parë të takimit nga 11-metërshi, me ballshiotët që kishin shumë diskutime ndaj arbitrit për vendimin që mori pasi Arapi ra në zonë. Megjithatë festa nisi në minutën e 38 te Bylisi me Antoni Bej që dërgoi topin në rrjetë, por këtë pretendimet dhe kontestimet ishin te Teuta pasi lojtari i tyre, Aleksi, u përplas me kryesorin e takimit në mesfushë gjatë aksionit të golit. Më poshtë gjeni intervistën e protagonistëve për “Supersport”:
Hoxhallari (Tirana): “Derbi? Tani duhet ta shohim si kundërshtarin e radhës Partizanin. Nëse fitojmë aty, nuk mbaron asgjë. Nuk mbaron kampionati në atë ndeshje. Derbi është një histori e veçantë, nuk do të shkojmë as si kampionët në fuqi dhe as si ekipi që është më poshtë se Partizani në renditje. Është e gjitha për t’u shijuar dhe e ka treguar e kaluara. Për mendimin tim nuk ka mbaruar asgjë në luftën e titullit, përse jo të mos vendoset në javën e fundit? Vllaznia e mori titullin para kohe, duhej të kishte mbaruar kampionati tani. Po ja që bëri hapa të gabuar dhe nuk është mbyllur asgjë”.
Shehi (Tirana): “Gjithmonë ka punë për të bërë edhe kur fiton, në mënyrë që të perfeksionohesh. Nuk e ndaj mendimin tuaj që Seferi humb shumë para porte. Unë jam shumë i kënaqur nga Seferi, po na ndihmon shumë, po krijon shumë volum loje dhe jam i lumtur që gjeti golin nga penalltia. Java e derbit është shumë e rëndësishme si për ne dhe kundërshtarin. Në derbi lojtarët japin maksimumin dhe shumë pak ndikojnë trajnerët. Sot skuadra duhet të shijojë fitoren, të qetësohet dhe të relaksohet.
Martini (Teuta): “Kemi humbur shumë raste përpara porte, duhej të ishim më të qetë. Ndoshta ajo penalltia e dhënë për ne, bëri që arbitri të humbte kontrollin e ndeshjes dhe po jepte shumë faulla të paqenë. Nuk e di edhe te goli që bëri Bylisi. Aleksi u përplas me arbitrin në mesfushë dhe më e pakta që duhej të bëhej ishte që të ndalohej loja në ato momente. Nuk e di sesi është rregullorja. Nervozizmi te ne vjen vetëm në këto ndeshje që jemi të detyruar me patjetër për të marrë pikë dhe në fushë të nxehta, ku ka lojë të ashpër”.
Ndreu (Kastrioti): “Sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë me Tiranën. Por ne jemi ndëshkuar në mënyrën më të mirë tonën, ia kemi dhuruar ndeshjen Tiranës. Kishte edhe ngarkesë fizike nga ndeshja e fundit që ne kishim. Nuk kam se çfarë të them, pranojmë humbjen. Kërkova ta freskojë skuadrën në pjesën e dytë, por ishte e pamundur përballë një ekipi me cilësi. Në finalizim na ka munguar freskia. Ndikon shumë edhe euforia pasi e shohim veten të relaksuar. Është e pashmangshme pasi ne kemi djemë të rinjë në ekip. Gjatë gjithë javës i kisha thënë lojtarëve që duhet të mbrohemi dhe të mos hidhemi në sulm, nuk doja ndërtim loje, pasi na bënte punë 1 pikë sot. Sa nisi ndeshja filluam që të dalim në sulm”.