Hoxha: Duhet edhe pak kohë për të parë Kukësin e vërtetë

Mbrojtësi durrsak: Edhe Partizani veç Skënderbeut për titull, por kujdes Teutën e Flamurtarin. Nuk na mungon asgjë për të rimarrë titullin

Jurgen Zela

U afrua në merkaton e verës te kampionët dhe duket se e ka nisur mjaft mirë aventurën si “kuksian”. Rustem Hoxha është aktivizuar në 6 prej 7 ndeshjeve të para si titullar në kampionat dhe është përshtatur mjaft shpejt te verilindorët. Për “Sport Ekspres” Hoxha flet rreth aventurës së tij në Kukës, ndeshjes së radhës me Vllazninë, rivalët, por dhe të ardhmes. Nuk mund të mungonte dhe një premtim për tifozët.  

-Rustem, në merkaton e verës u transferuat te Kukësi, një aventurë e re te një skuadër pretendente, si ka qenë kjo ecuri deri më tani?

Mund të them se e kam nisur mirë aventurën në Kukës. Si tifozët, lojtarët, po ashtu dhe drejtuesit më kanë pritur mirë. Kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe mjaft pozitiv këtu në Kukës. Po përshtatem mjaft shpejt, pasi ambienti këtu ma ka bërë mjaft të lehtë.

-Jeni aktivizuar si titullar në të gjitha takimet e këtij fillimsezoni, mund të themi se tashmë jeni përshtatur plotësisht me skuadrën?

Besoj që është një fillim i mirë, kam luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet si titullar. Uroj që të vazhdoj me këtë ritëm, të kem vazhdimësi. Për çdo lojtarë është mjaft e rëndësishme që të luajë dhe sidomos për një lojtar të ri që kërkon kohë për t’u ambientuar.

-Kukësi kërkon mbrojtjen e titullit, e shihni si të arritshëm këtë objektiv?

Kukësi është kampionia në fuqi dhe të gjithë kur luajnë ndaj Kukësit kërkojnë që të marrin pikë. Vjet Kukësi bëri një edicion mjaft të mirë që u kurorëzua dhe me titullin kampion. Gjithnjë Kukësi ka pasur pretendime madhore dhe tashmë që ka fituar eksperiencën besoj se ka potencialin dhe kapacitetin për ta ruajtur fronin. Skuadra është e kompletuar, mbështetja nga drejtuesit është e madhe dhe mund të them se nuk na mungon asgjë që të arrijmë sërish titullin.

-Ndeshja e ardhshme me Vllazninë në shtëpi, gëzoni  një formë të mirë me tre fitore radhazi, si e shikoni këtë takim?

E vërtetë që po gëzojmë një formë mjaft të mirë. Kemi arritur të marrim tre fitore, dy prej të cilave në transfertë dhe kemi shënuar 9 gola e pësuar vetëm dy. Edhe pse kemi pasur shumë mungesa mund të them se kemi bërë mirë, por besoj se kjo skuadër mund të bëjë akoma më mirë. Kampionati sapo ka nisur dhe skuadra ka pësuar shumë ndryshime ndaj duhet dhe pak kohë për të parë Kukësin e vërtetë. Vllaznia ka një skuadër me shumë kualitet dhe nuk do të jetë aspak e lehtë, megjithatë në shtëpi fitorja është detyrim dhe ne në çdo ndeshje futemi vetëm për fitore. Me tifozët tanë besoj se do ia dalim që të marrim dhe fitoren e katërt radhazi.

-Vetëm Skënderbeu para jush, mund të konsiderohen vetëm korçarët kundërshtarët tuaj, pasi së bashku jeni më të distancuar nga pjesa tjetër e skuadrave?

Është ende herët për të dalë në konkluzione. Janë luajtur vetëm 7 javë. Skënderbeu është një skuadër mjaft e fortë, duke e treguar dhe në arenën ndërkombëtare. Përveç tyre edhe Partizani, mendoj se do të jetë pjesë e garës për titull. Unë nuk do të distancoja dhe Flamurtarin dhe Teutën që kanë skuadra shumë të mira dhe mund t’i hapin punë çdo kundërshtari. Janë ekipe mjaft të organizuara.

-Cilat janë planet e Hoxhës për të ardhmen?

Jam i fokusuar te Kukësi. Si fillim dua që të fitoj titullin këtu. Është herët për të folur për të ardhmen. Të jem mirë fizikisht si fillim, dhe më pas çfarë të jetë e shkruar.

-Ka një premtim për tifozët Hoxha?

Unë do të jap maksimumin në çdo ndeshje, siç kam bërë. Tifozët janë një mbështetje e madhe për ne dhe është shumë e rëndësishme që ata të jenë prezent në shkallët e stadiumit. I ftoj që të jenë sa më të shumtë, pasi janë ata që na motivojnë më shumë se çdo gjë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *