Për herë të fundit në shtëpinë e tij, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Tirana, por edhe i gjithë futbolli shqiptar i dhanë lamtumirën një prej emrave më të mëdhenj të viteve 1960-’70, Skënder Hykës. I ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare, në mënyrë të papritur pas një sëmundje të rëndë.
Homazhet për ish-sulmuesin, që e kaloi të gjithë jetën me fanellën bardheblu, u zhvilluan në klubin e zemrës. Të gjithë ishin të pranishëm. Nga drejtuesit e lart të Federatës së Futbollit, me të cilët Hyka kishte bashkëpunuar prej vitesh, kur mbante postet e sekretarit të përgjithshëm apo edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv për disa legjislatura me radhë.
Në kujtim të tij u mblodhën ish-lojtarë Tiranës nga brezat më të vjetër, deri te ata që e kanë veshur fanellën në dekadat e fundit. Nuk munguan as të tjerët, drejtuesit aktualë të klubit bardheblu me në krye presidentin Refik Halili, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, apo edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska.
Futbolli humbet një legjendë, që ka dhënë kontribut të padiskutueshëm si lojtar, drejtues dhe zyrtar. Por, emri i Skënder Hykës do të mbetet gjithmonë i lidhur me sportin më të dashur në botë.