Historia si përrallë/ Emri i Duros është e vërteta e Mazrekajt, si lojtari që vari këpucët në gozhdë do të jetë frika e Anderlehtit

6 gusht 2019! Duke njohur gabimet e vetes dhe me sinqeritet për t’u vlerësuar, Mazrekaj shkruante: “Miqtë e mi, sot kam marrë vendimin më të vështirë deri tani në jetën time. Vendosa që të mos luaj më futboll. Mos profesionalizimi i duhur, gabimet e shumta në karrierë dhe dëmtimet më kanë shtyrë drejt këtij vendimi. I falënderoj të gjithë ata që i ka pëlqyer loja ime dhe janë argëtuar. I falënderoj edhe atë që nuk i ka pëlqyer loja ime”.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Mazrekaj vendosi që të varte këpucët në gozhdë. Por ashtu si edhe në rastin e Zlatan Ibrahimoviç te Suedia, Mentori u mendua sërish dhe arriti në përfundimin se nuk mund të jetonte dot pa futbollin. Kështu zgjodhi që të linte një palë në gozhdë dhe të merrte të reja që të rikthehej sërish në fushën e blertë.

Të gjithë e dinë faktin se varësia nga kalçeto ka bërë që një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm si Mazrekaj, që e shfaqi te Partizani, nuk arriti të kulmonte në Europë për aftësitë që mbarte në vete. Por këto histori i përkasin të shkuarës dhe vetë futbollisti e di fare mirë se çfarë nuk bëri siç duhej.

Papritur ishte Laçi që do t’i jepte Mazrekaj atë që mund të quhet fare mirë si “jeta e dytë”. Askush nuk e besonte te kurbinasit në atë kohë se bëhej fjalë për Mentorin e vjetër. “Të them të drejtën, kur erdhi te Laçi asnjë nuk besonte se do të rikthehej në nivelet ku ka qenë”, do të shprehej Malota për “Sport Magazine”.

Pra te kurbinasit mendonin se trajneri Duro po provonte të “ringjallte” trupin që nuk jepte reagim prej kohësh. E pamundur! Papritur Mazrekaj nisi që të kthehej sërish si faktor në futbollin shqiptar dhe ja ku gjendet…ylli i rivalit që Anderlehti duhet të ketë kujdes të madh. Mes pak fjalëve pozitive të Rudi Vatës në mediat belge sa i përket mundësive që Laçi mund të ketë me gjigandët belg, ishte Mazrekaj: “Bëni kujdes me të”.

Një histori që duket si përrallë dhe jashtë reales, por fundi i lumtur vjen me autorin e librit, Shpëtim Duro. Emri i këtij trajneri tregon shumëçka për atë që i ndodhi Mazrekajt. E gjitha kjo do të merrte më shumë kuptim mes një çmendurie të ndodhur ku Anderlehti të eliminohej nga Europa me një protagonist që…i ka ende këpucët në gozhdë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *