Gjatë ndeshjes së djeshme mes PSG dhe Nantes janë grabitur shtëpitë e dy futbollistëve të kampionëve francez, që ishin duke luajtur në ato momente. Bëhet fjalë për Di Marian, që la menjëherë ndeshjen për të vrapuar kur familja e tij ishte marrë peng nga keqbërësit. Nga ana tjetër edhe në shtëpinë e babait të Marquinhos po ndodhte përleshje mes hajdutëve dhe babait të mbrojtësit.
Një histori që nuk vjen për herë të parë te lojtarët e PSG, teksa në 18 muajt e fundit janë grabitur shtëpitë e: “Sergio Rico, Thiago Silva, Choupo Moting dhe Icardi”. Për këtë arsye PSG ka menduar që të nxjerrë disa shpenzime shtesë nga arkat e klubit.
Shtëpitë e të gjithë futbollistëve janë siguruar tashmë me roje private që do të qëndrojnë përpara banesës në 24 orë, të paktën derisa gjendja të qetësohet. Ndërkohë Kilian Mbape dhe Nejmar i kanë mbyllur vetë këto shpenzime duke zgjedhur rojet e sigurisë që ata dëshirojnë për të mbrojtur banesat e mëdha ku jetojnë aktualisht. /Sport Ekspres/