Ndodh shpesh që njerëzit gënjejnë për t’i shpëtuar situatave të vështira dhe një gjë të tillë e bëjnë dhe futbollistët. Një histori e veçantë na vjen nga Brazili, ku lojtari Paulo Silva, i njohur ndryshe dhe si Somalia, u detyrua të sajonte rrëmbimin e tij. Arsyeja? Kishte kaluar gjithë natën duke festuar dhe nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në stërvitjen e ekipit.
Ishte viti 2011, kur Somalia luante me ekipin e Botafogos. Ai nuk mori pjesë në një seancë stërvitore dhe sajoi rrahjen dhe rrëmbimin e tij siç citon “A Bola”. Somalia e justifikonte mungesën në stërvitje me shkakun që ishte sulmuar, grabitur dhe rrëmbyer. Por, realiteti ishte i ndryshëm dhe doli shpejt e vërteta.
Policia kishte arritur të siguronte një video të kamerave të sigurisë, në të cilën shfaqej lojtari duke u kthyer në orën pesë të mëngjesit dhe fshihte bizhuteritë e tij, të cilat i kishte denoncuar të humbura nga rrëmbyesit imagjinarë. Por, policia nuk zbuloi futbollistin gënjeshtar dhe arriti marrëveshje me klubin për t’i mbajtur sekret imazhet e zbuluara. Ndjenja e fajit ishte e madhe dhe Somalia nuk ka duruar më, duke treguar të vërtetën mbas shtatë vitesh.
Ai nuk ishte rrëmbyer kurrë, por kishte kaluar natën duke festuar dhe kishte vendosur të shpikë këtë sajesë për t’i shpëtuar gjobës së klubit. Botafogo e kishte vendosur si rregull: kush vonohej në stërvitjet e ekipit, gjobitej me 40% të rrogës mujore. Në fund, “rrengu” nuk i hyri fare në punë, sepse klubi mbasi foli me policinë, vendosi ta gjobisë dhe filloi ta huazonte lojtarin deri në fundin e kontratës, që skadonte në vitin 2013. Tashmë 34-vjeçari është pa ekip dhe ka vendosur të zbulojë të vërtetën, për të “qetësuar” sadopak shpirtin e tij.