Historia e javës: Sa kushton hakmarrja ndaj Roberto Mançinit?

Një histori e veçantë vjen nga Rusia këtë javë dhe ka si protagonist një sulmues që quhet Artem Dzyuba, e vështirë për t’u lexuar shqip (Xjuba ndoshta, por pak rëndësi ka).

Ndonëse për ne nuk është shumë i njohur, Dzyuba është një sulmues shumë i njohur në Rusi dhe ka luajtur shumë ndeshje me kombëtaren. Nga Spartaku i Moskës, në vitin 2015 kalimi te Zeniti, ku vijoi të shënonte, 28 gola në dy kampionatet e shkuar, goxha shifër për një sulmues që në fakt ka shënuar kudo.

Megjithatë, te Zeniti gjithçka ka shkuar ters me Roberto Mançinin, sepse trajneri italian nuk e do në ekip. Preferenca e tij, nuk kundërshtohet, ndaj në janar Zeniti e urdhëroi sulmuesin të shkonte në huazim tek Arsenal Tula. Nga elita të lufta për mbijetesë, duke rrezikuar vendin në kombëtare në vitin e Botërorit, a ka më keq për një sulmues?

Dzyuba pranoi, shkoi tek Arsenali, ku është kthyer në yll. Pesë gola në 7 ndeshje kampionati, mbijetesa thuajse e garantuar dhe të dielën e shkuar Arsenal-Zenit!

Sulmuesi 29-vjeçar e priste me padurim, ishte ndeshja e tij, por i treguan kontratën e huazimit: Djalosh, nuk mund të luash ndaj Zenitit, nëse nuk paguan 150.000 euro klubi!

Me aq para Arsenali paguan një futbollist në vit, ndaj nuk bëhej fjalë që të paguante, por ishte ndeshja e Dzyubas: Paguaj unë gjysmat e parave, më lejoni të luaj!

Arsenali pagoi, Dzyuba në fushë. Zeniti kërkonte fitore për të shkuar në Champions League, Arsenal Tulatur pikë mbijetesë dhe Dzyuba gol kundër Mançinit, atij që e ndoqi nga ekipi, sepse nuk i vlente.

Pjesa e parë u mbyll 2-1 për Arsenalin, por në minutën e 77-të skuadra nga Tula mbeti me 10 lojtarë. Fati i Zenitit, që në minutat 82 e 84 përmbysi gjithçka. Mbaroi aty? Absolutisht jo, sepse në minutën e 88-të erdhi rasti i madh për Artemin e zemëruar: Gol, 3-3, festë e paparë dhe zbrazje dufi para Mançinit, duke i treguar mbiemrin në fanellë. Zeniti zbret i katërti, humbet vendin në Champions për momentin. Sepse hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *