Pak fjalë, por që tronditin merkaton evropiane. Emri në fjalë është “big”. Gonzalo Higuain mund të largohet nga “Zonja e Vjetër”. Në fillim zërat për shkëmbim me Ikardin, ndërsa tani janë klubet angleze të interesuara, sidomos me Çelsin, që nuk e do më Moratën dhe është gati të shesë për 70 milionë euro. Argjentinasi i Juves, sakaq, bën me dije se ndoshta ka ardhur momenti që të largohet. “Për momentin ndihem mirë dhe jam i lumtur te Juventusi, im bijë do të rritet në Torino, por do të më pëlqente që të luaja në Premier League, një kampionat fizik dhe tepër interesant”. Argjentinasi ka folur nga grumbullimi me Argjentinën në Barcelonë. Ai ka thënë këto fjalë për ESPN.
Sakaq, një tjetër temë që ka prekur është edhe Botërori: “Eshtë një ëndërr që do të luaj Kupën e Botës, kjo është hera ime e tretë dhe është një sfidë që tani përballem me pjekuri më të madhe, një turne që të gjithë do të duam të fitojmë. Ndihem mjaft mirë, familja më ka dhënë shumë, koka është gjithçka në jetë. Nëse një person është mirë me mendje, pjesa tjetër mbërrin si pasojë”.
Vlera – Higuain ka mbyllur sezonin e dytë te Juventusi, duke fituar po kaq tituj, teksa tani sheh se ndoshta është bërë një peshë dhe se vetë drejtuesit bardhezi për asnjë moment nuk kanë dalë ta blindojnë, por zërave për largimin e tij nuk i kanë dhënë përgjigje… Por, sa kushton Higuain tani? Juventusi do të donte jo më pak se 60 mln euro, duke ditur se pagoi për të, dy vera më parë, 94 milionë euro për ta siguruar. Higuain është më i paguari në Itali, me 7,5 milionë euro në sezon dhe edhe kursimi te rroga, me dy vite të tjera kontratë, do të ishte i rëndësishëm.