Nëse flasim për detyrën dhe punën e portierëve në këto 4 javët e para të Superiores, atëherë padyshim që Isli Hidi është më i përmenduri. Kjo pasi gardiani i Bylisit më tepër sesa për pritjet e tij, e ka rrëmbyer vëmendjen pasi është kthyer në golashënuesin e skuadrës, duke realizuar dy gola nga pika e bardhë deri tani.
Por përtej shifrës së golave, si janë paraqitur deri tani gardianët në elitën e futbollit shqiptar? Ekipi që ka pësuar më pak gola deri tani është Tirana. Por më shumë sesa për heroizmin që vjen nga porta, kjo statistikë mbahet nga mbrojtja e fortë dhe skemat e Memës.
Lika i ka treguar gjithsesi aftësitë e tij, duke ofruar siguri të madhe, por edhe Bakaj ka shkëlqyer me disa pritje vendimtare ndaj Skënderbeut. Për t’u mos lënë pa përmendur mbetet portieri i Laçit, Stazhilla.
Shtatlartësia e tij dhe hedhjet nga njëri-krahë në tjetrin, e bëjnë atë një nga më të mirët të momentit. Madje edhe ndaj Partizanit ka bërë në disa momente shpëtime me vlerën e një goli të shënuar, për të treguar se meriton të gjitha duartrokitjet.
Sa i përket portierit Koliçi, në dy takimet e fundit janë shfaqur më tepër gabime në pasiguri. Sidomos në atë përballje ndaj Tiranës dhe në goli që hapi rrugën e fitores për bardheblutë, kur gjuajtja e Kobinas nuk arriti të kontrollohej në mënyrën e duhur, për t’ia bërë të thjeshtë Ngos realizimin e golit të parë.
Ndërsa në krahun e Alban Hoxhës, është gjithmonë një linjë mesatare e cila vazhdon të ndiqet ku nuk mund të ketë as vlerësime të larta, por as kritika. Vetë ndeshjet e luajtura deri tani nuk e kanë kthyer portierin e Partizanit në qendër të vëmendjes. Sherri është mbi mesataren pozitive te Vllaznia dhe arrin të jetë një ndihmë e madhe te një skuadër që e ka të vështirë që të shënojë. Sa i përket kritikave më të mëdha për një paraqitje më të dobët, padyshim që janë për Avdylin e Kukësit, që ka një mungesë më të madhe të përqendrimit dhe siguri të munguar se gardianët e tjerë. /Sport Ekspres/