Tirana ka arritur që të fitojë ndaj Bylisit me shifrat 4-1 dhe të rikthehet që të kryesojë Superioren. Një ndeshje që është mbyllur me vetëm një lojtar, Patrik, që ka gjetur tripletën në këtë takim. Goli i parë i ndeshjes u gjet me Hasanin në minutën e 10 që nuk gaboi nga penalltia, e cila u fitua pas shumë kontestimeve. Më pas skena iu la Patrik që realizoi tre golat e tjerë te Tirana. Ndërkohë goli i nderit te Bylisi u gjet nga Kacorri. Nga krahu tjetër, Vllaznia mundi Lacin me shifrat 4-1. Dy golat e parë u realizuan nga ana e Ardit Hoxhajt në fundin e pjesës së parë.
Pak minuta pas nisjes të së dytës, Shkurtaj u hodh në fushë te kurbinasit dhe Bekim Balaj debutoi te shkodranët. Shkurtaj do të ngushtonte shifrat në të 65, por Juric ktheu avantazhin e dy golave. Pas një krosimi te Vllaznia, lojtarët e Lacit ishin të angazhuar të markonin Bekim Balajn dhe lanë Juric tërësisht të lirë. Në fund kishte vend edhe për një predhë të Jonuzit nga distanca që përfundoi në rrjetë. Megjithatë Laci dukej i shpërfytyruar në këtë takim dhe nuk kishte shpresë në asnjë moment për të dalë me pikë nga Shkodra. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Patrik: “Është hera e parë që shënoj tre gola, uroj që ta vazhdojmë në këtë ritëm. Ekipi është gjithmonë i përqendruar, po punojmë dhe kërkojmë që ta finalizojmë me titullin kampion. Këto gola shkojnë për vëllain tim. Momenti i penalltisë? Ia kërkova Xhixhës që ta godisja unë penalltinë, por ai ia la Hasanit.
Mezani: “Vllaznia ka elemente të mirë që të vendosin në vështirësi. Mungesat e shumta në mbrojtje ndikuan, por sot nuk ishim të qartë dhe në ekuilibër. Përgjegjësitë i marrë unë, nuk i hedh askund tjetër. Nuk mund të them që jam i kënaqur apo jo kur pësojmë 4 gola. Por siç e thashë, ndikuan shumë mungesat në mbrojtje”.
Orges Shehi: “E zgjidhëm ndeshjen shpejt. Ne duam të përmirësohemi dhe të mos e ulim këmbën nga gazi. Për këtë arsye kemi dhënë gjithmonë këshilla për lojtarët. E kam thënë që ky kampionat është i fortë. Lufta do të jetë e ashpër me Partizanin dhe Vllazninë deri në fund, pa harruar ndonjë ekip tjetër që mund të ngjitet, por këtë do ta tregojë fusha e blertë. Kur ndeshja shkon 3-0 në favorin tënd është më e vështira se duhet t’i karikosh lojtarët dhe ka raste kur takimi të përmbyset.
Mirel Josa: “Të gjitha ndeshjet duhet të vlerësohen njësoj. Ne jemi në rrugë të mbarë. E vendosëm në presion Lacin që në fillim, e kontrolluam lojën. Goli i pësuar nuk më entuziazmon se ishte 2-1 dhe loja mund të kthehej. Mos të bëhemi hipokrit, jam i kënaqur shumë nga skuadra. Bekim Balaj? Duhet të luajmë më tepër në grup, këtë e kam parë në seancën stërvitore. Të gjithë ekipet luajnë futboll, unë pres nga ekipi im që të respektoj çdo kundërshtar”.
Bellai: “Kur pëson 3 gola në pjesën e parë, nuk flitet për lojë të mirë. Unë mendoj se që kur u futëm në Air Albania e kishim humbur ndeshjen. Kështu e pashë unë, se të tjera kishim folur dhe të tjera na dolën. E kemi mbivlerësuar shumë Tiranën, e dimë që janë ekip i mirë, por e mbivlerësuam. Ne paguhemi nga futbolli, marrim para prej tij, duhet të sillemi si profesionist, jo si amator. Kur futesh në një stadium të mirë, janë ca ndjenja më ndryshe. Nuk duhet t’i shohim lojtarët kundërshtarë sikur janë përbindësha”