Rubin Hebaj pak nga pak po ia merr dorën futbollit slloven dhe që tani po bëhet i rëndësishëm te Domzhale, që në fakt ka shumë besim tek ai dhe e konsideron një investim të rëndësishëm. Sot Hebaj shënoi golin e tij të tretë sezonal, në humbjen e pësuar për kupë në Mura. Shkodrani luajti nga minuta e parë dhe shënoi në minutën e 15-të, por Mura përmbysi gjithçka në 45 minutat e para, me Domzhalen që mbeti me 10 lojtarë.
Përtej eliminimit nga kupa, Hebaj po tregon gjithë potencialin e vet, sepse ka shënuar 2 gola në kampionat në vetëm 117 minuta, ndërsa tashmë ka shënuar edhe në ndeshjen e parë që luan në kupë, me një mesatare impresionuese goli, një të tillë në më pak se 70 minuta.
Me siguri Vllaznia e vajton talentin e vet, sepse këtë sezon nuk ka një pikë referimi në sulm dhe me një si Hebaj përpara do të shënonte me shumë lehtësi.