Hasani: Dolëm të mërzitur nga kjo ndeshje, më vjen keq që nuk e takova Gjicin

Mesfushori Edon Hasani, ashtu si Ernest Gjoka, kthehej në Kukës si “ish” dhe kishte jo pak pengje. Megjithatë, shkodrani nuk mban mëri ndaj askujt, edhe pse nuk e fsheh që do të donte ta takonte Gjicin. Hasani i gëzohet kthesës së Vllaznisë, por pret më shumë tifozë për ndeshjen delikate ndaj Skënderbeut, pas një jave.

“Ishim përgatitur për një pikë, por në fund të gjithë ishim të mërzitur. Shënuam dy gola dhe mund të fitonim, ndaj uroj të jetë një pikë kthese. Jemi të kënaqur që ndeshja shkoi ashtu si e kishim përgatitur, në një transfertë ndër më të vështirat në Shqipëri. Ashtu si shkoi ndeshja, në fakt, na erdhi shumë keq, por është një pikë besimi gjithsesi.

“Personalisht jam munguar të jap gjithçka në çdo ndeshje, me stafin e ri mobilizimi është edhe më i madh dhe po përmirësohemi. Unë jam shkodran dhe më takon të jap edhe diçka më tepër.

“Motivim shtesë si “ish” ndaj Kukësit? Në fakt, edhe unë jam kampion i sezonit të fundit, ma ka dërguar medaljen shefi i klubit të Kukësit. Kam kaluar vite të shkëlqyera në Kukës, më erdhi keq që nuk e takova Gjicin, por kështu e ka futbolli.

“Presioni në Shkodër, problem? Nuk diskutohet që populli në Shkodër është shumë i ndjeshëm dhe pas një disfate nuk na bëhet të dalim nga shtëpia, pasi të gjithë na flasin e na kritikojnë nëse nuk paraqitemi mirë. Natyrisht, përgjegjësia është shumë e madhe. Shpresoj që me pikën e marrë sot, në ndeshjen e ardhshme tifozët të jenë të shumtë në stadium, aq më shumë që do të presim Skënderbeun”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *