Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillimin e muajit tetor kursin “UEFA Football Doctor Education”, që do të zgjasë për tre ditë (në datat 2-4 tetor) dhe është një program shumë i rëndësishëm për formimin dhe profilizimin e specialistëve të mjekësisë sportive në Shqipëri.
Kursi është i ndarë në një program që mbulon aspekte të ndryshme të mjekësisë sportive, duke ndjekur udhëzimet dhe protokollet e UEFA-s. “UEFA Football Doctor Education” është një program i implementuar në të gjitha vendet europiane e që në thelb ka mbrojtjen dhe kujdesin shëndetësor të sportistit. Ky program do të udhëhiqet nga Sektori i Mjekësisë Sportive në FSHF e konkretisht nga Gianluca Stesina e Ilvi Begolli dhe është mjaft i dobishëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët, që përfitojnë njohuri të reja e që specializohen në fushën e mjekësisë sportive.
Në ditën e parë të kursit do të trajtohen çështje si parandalimi i aksidenteve, rehabilitimi prej aksidenteve, rregullat anti-doping e njohja e listës së barnave.
Në ditën e dytë fokusi do të jetë te kontrolli mjekësor sportiv i lojtarëve të futbollit; parimet e përgatitjes fizike të lojtarëve në ekipin kombëtar, mjetet e kontrollit të lodhjes dhe rikuperimit të lojtarëve, traumat e kokës dhe tronditjet si edhe parimet e ndihmës së parë.
Në ditën e tretë dhe të fundit do të diskutohet rreth të ushqyerit sportiv dhe suplementet, skanimi i sportistit para seancës stërvitore nga pikpamja mjeko sportive, skanimi i sportistit para seancës stërvitore nga pikpamja kardiologjike si edhe psikologjia sportive.
Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësimi dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.
Kursi do të zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë, ndërsa për t’u regjistruar të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
– Diplomë e Universitetit Mjekësisë ose Fizioterapi
– Kandidati duhet të jetë pajisur me raport mjekësor lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
– Dy fotografi pasaporte;
– Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
– CV që përfshin gjithë aktivitetin si fizioterapist;
– Numër kontakti/ adresë e-maili.
Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë kërkesat për regjistrim përmes postës elektronike në adresën drejtoria.edukimit@fshf.al, përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose kërkesat mund të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 25.09.2024 dhe aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Ata që do të pranohen për të marrë pjesë në këtë kurs duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 50 eurosh.