Kristjan Asllani ka bërë një lëvizje të papritur në karrierën e tij, duke u larguar nga futbolli europian për t’u transferuar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mesfushori shqiptar është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Al Jazira, në një aventurë të re që për shumë tifozë shihet si një hap prapa në aspektin sportiv.
Asllani, i cili është rritur profesionalisht te Empoli dhe më pas u transferua te Interi, kishte krijuar pritshmëri të mëdha për të ardhmen e tij. Megjithatë, mungesa e minutave të rregullta në Itali dhe konkurrenca e fortë për një vend në formacion e bënë gjithnjë e më të vështirë qëndrimin e tij në nivelet më të larta të futbollit europian.
Kalimi te Al Jazira i jep 24-vjeçarit një mundësi për të pasur më shumë hapësira dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër, por njëkohësisht e largon nga skena kryesore europiane.
Për Asllanin, ky transferim mund të jetë një pikë kthese. Nëse arrin të luajë rregullisht dhe të tregojë vlerat e tij, aventura në Emirate mund të shërbejë si një mundësi për të rikthyer karrierën në rrugën e duhur. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/