Në mbrëmjen e sotme ka pasur një event të veçantë që është organizuar nga RTSH në bashkëpunim me FSHF, për të vlerësuar punën e lojtarëve dhe klubeve në tërësi për sezonin 2020-2021. Vendi i parë dhe trofeu më prestigjioz është Topi i Artë, që i jepet futbollistit që ka pasur më shumë ndikim në ekipin e tij. Këtë herë çmimi i ka shkuar me meritë Dejvi Bregut. Ky i fundit ishte protagonisti kryesor që e dërgoi Teutën në titullin kampion dhe pas largimit të tij, shihet qartazi mungesa në rezultate. Ndërkohë Topi i Artë për vajza ka mbërritur në duart e Megi Doçit.
Për të vazhduar më tej, trajneri më i mirë i sezonit është shpallur tekniku i Vllaznisë, Brdariç. Sa i përket arbitrave, Hamiti dalloi mbi gjithë të tjerët. Ndërkohë në vlerësim është shpallur edhe formacioni më i mirë i sezonit. Në portë qëndron Visar Bekaj, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Gurishta, Belica, Adili dhe Hoxhallari. Për të vazhduar me mesfushën ku gjenden Shehu, Lushkja dhe Aleksi. Sulmi përmbyllet me Asanin dhe Ibrahimin dhe sigurisht, Topin e Artë, Dejvi Bregu. /Sport Ekspres/