Sulmuesi shkodran: Ardhja e tij në Superiore i shërben shumë jo vetëm Kukësit, por dhe kampionatit shqiptar, pasi është një reklamë shumë e mirë
Jurgen Zela
Ish-sulmuesi i Skënderbeut dhe Kombëtares Shqiptare ka folur për “Sport Ekspres” në lidhje me trajnerin e ri të Kukësit. Salihi është një nga të paktit shqiptar që ka pasur mundësinë të punojë me të dhe e njeh mjaft mirë. Shkodrani e ka luajtur ndeshjen e fundit në Superiore në fushën e Kukësit, por nuk nguron të flasë për aventurën e teknikut austriak në krye të verilindorëve. Nuk mund të linte jashtë vëmendjes dhe situatën e Vllaznisë apo një mundësi rikthimi në Superiore.
– Salihi, si po shkon aventura juaj në Austri?
– Në Austri po shkon gjithçka shumë mirë. Tani jemi në një moment pauze. Javën e ardhshme fillojmë përgatitjet dhe skuadra ime është në vend të parë, më pikë të barabarta me vendin e dytë. Këtë radhë ngjiten dy skuadra direkt në Bundesligë dhe ekipi i tretë shkon në play-off. Janë shanset shumë të mëdha. Duke parë dhe paraqitjen e skuadrës, që ka pasur stabilitet për 20 ndeshje, besoj se do të arrijmë që dhe në këto ndeshje që kanë ngelur të bëjmë të njëjtën paraqitje e të marrim të njëjtat rezultate.
Ju jeni në Austri, por në Shqipëri ka ardhur ish-trajenri juaj Peter Pakult…
-Jam informuar për ardhjen e Pakultin në Shqipëri dhe të them të drejtën, jam habitur pak, pasi është një trajner që ka emër shumë të madh në Austri dhe në Gjermani. Nuk e prisja, por është diçka shumë e mirë për futbollin shqiptar. Nuk e di a do të bëjë mirë apo jo me Kukësin, sepse futbolli ka dhe fat brenda, por jam i sigurt se futbollit shqiptar i bëjnë mirë të vijnë sa më shumë emra si Pakult, pasi rrisin cilësinë edhe i bëjnë reklamë futbollit shqiptar në Europë.
– Çfarë mund të na thoni për stilin e lojës së tij?
– Pakulti ka qenë personi kryesor për lëvizjen time nga kampionati shqiptar në Austri. Ka qenë trajneri i parë që ka ardhur dhe me ka parë në Shqipëri. Më pas dhe Riedi ka marrë informacione për mua e më ka marrë. Pas dy vitesh ka ardhur e më ka marrë te Riedi. Ka qenë gjithnjë i dashuruar pas lojës time. Çdo ditë që kam punuar me të, ka qenë shumë pozitive. Kam vetëm kujtime të mira me të. Uroj t’i ecë, pasi e di se është një njeri shumë i drejtë dhe me karakter shumë të fortë. Do më bëhej qejfi, nëse do të kishte sukses në Shqipëri.
– Besoni se Pakult do të ketë sukses te Kukësi?
– Futbolli do edhe fat, ka dhe të papritura, por Kukësi dhe kampionati shqiptar fitojnë shumë me një profesionist të tillë dhe me një emër të tillë. Si nga ana organizative, por dhe nga reklama dhe jehona që bën lëvizja e tij.
– E keni ndjekur Vllazninë, si e komentoni situatën ku ndodhet?
– Vllazninë e ndjek gjithnjë, më shumë se të tjerat. Më vjen keq, që u bënë vite që ndodhet në të njëjtën situatë, nuk di si ta përshkruaj. E di interesimin e gjithë njerëzve dhe atyre që e drejtojnë aktualisht. Buxheti po ashtu nuk mungon, nuk e di se çfarë nuk shkon si duhet. Diçka duhet të ndryshojë me çdo kusht. Uroj të nisë që tani në janar të marrë rezultate pozitive, pasi ka nevojë më shumë se të gjitha për rezultate.
– E mendon një rikthim në Superiore?
– Sa i përket një mundësie rikthimi, e kam thënë edhe më parë. Që kur isha në fushën e Kukësit, e kisha vendosur brenda vetes se ishte ndeshja e fundit në kampionat shqiptar. Futbollit asnjëherë nuk i dihet, unë do të kisha dashur të kontribuoj dhe një herë për Vllazninë dhe ndoshta për të bërë diçka më të madhe, por e shoh shumë të vështirë dhe me 99% them se nuk do të kem rikthim si lojtar. Si trajner ose si drejtues ndoshta, e ardhmja ime do të lidhet me Shqipërinë.