Edhe ndërrimi i trajnerit nuk i ka bërë derman Hamburgut, që sot kundër Hertës ka humbur shansin e fundit për të shpresuar te mbijetesa. Klubi i vetëm që nuk ka zbritur kurrë në Bundesligën 2, Hamburgu u mund 2-1, ndonëse shkoi në pushim në avantazh 1-0. Sërish jashtë për dëmtim Mërgim Mavraj, i cili në verë duhet të gjejë klub të ri.
Ndërkaq, “shi” golash në ndeshjet e tjera të Bundesligës. Spektakël në Gladbah, ku Gladbahu e Hofenhajmi barazuan 3-3, në një sfidë ku miqtë shkuan 3 herë në avantazh.
Shkëlqen Frankfurti, që sot ka mundur 3-0 Maincin dhe ngjitet në vendin e katërt përkohësisht.
Mahnit edhe Verder Bremeni i Milot Rashicës, që fitoi 3-1 në Ausgburg dhe tashmë e ka siguruar mbijetesën, me 10 pikë në 4 ndeshjet e fundit. Në stol Rashica, i cili këtë radhë është lënë pushim, pas golit të shënuar në ndeshjen e shkuar, të hënën.