Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit sa vjen e po afrohet, ndërsa analizat dhe parashikimet kanë nisur si nga tifozët ashtu edhe nga profesionistët e analistët e futbollit. Së fundmi ka qenë edhe ish-futbollisti Rrahman Hallaçi, që ka bërë një analizë më të përgjithshme në emisionin “Pressing” të transmetuar në “ABC News”, duke u ndalur më tepër te ekipi i Tiranës.
Për bardheblutë ka thënë se është e tepërt që ekipi i tyre të kërkojë titullin vetëm se është 100 vjetori i formimit të klubit, pasi kjo gjë nuk i shkon për shtat një skuadre si Tirana. Sipas tij një klub i tillë duhet të ketë objektiva të qarta dhe afatgjata dhe se nuk kërkohet titulli vetëm se janë bërë afrime të reja në ekip.
“Ka pasur gjithmonë lojtarë cilësorë dhe ka afruar lojtarë cilësorë. Por më duket pak e tepërt dhe shpresoj të mos jetë e vërtetë, të paktën nga drejtuesit e Tiranës. Meqë është 100 vjetori, hajde të shpallemi kampionë dhe të blejmë lojtarë. Nuk i shkon për shtat një ekipi si Tirana kjo. Tirana duhet t’i ketë objektivat 2-3 vite para, pastaj të luftohet për titull kampion. Shumë lojtarë të ardhur dhe kërkojnë menjëherë titullin kampion. Më duket pak e çuditshme”, ka thënë Hallaçi./Sport Ekspres/