Shifra e çmendur që do të shitet Ernest Muçi, presidenti i Tiranës pranon transferimin

Tirana ka arritur të fitojë sërish lehtë edhe në këtë fundjavë, teksa ka mundur me shifrat 0-5 Luftëtarin. Rruga drejt titullit kampion duket e shtruar dhe nuk ka asnjë pengesë për bardheblutë në drejtimin e Egbos, për sa kohë vazhdojnë të paraqiten në këtë mënyrë në fushën e lojës.

Kukësi po i bën detyrat e tij në këto ndeshje, por që nuk mjafton aspak kur sheh diferencën dhe ecurinë e bardhebluve. Për këtë çështje ka folur edhe presidenti Safet Gjici, ku u shpreh se çuditet me fitoret e lehta të Tiranës, për të krijuar kështu përshtypjen e aleancave. Ndërkohë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” ishte presidenti i bardhebluve, Refik Halili, që ka treguar edhe sekretet e skuadrës.

“Kur vajtëm në Ballsh, kishte të dhëna të sakta që ishte bërë tamponi te kundërshtarët dhe ishin negativ. Shkuam të qetë dhe kaluam mirë. Kur erdhëm në Tiranë, na thanë që do t’i bëni edhe ju këto tamponet. Vendosëm që t’i bëjmë, caktuam një orë duke i treguar se në datën 7 kishim ndeshjen tjetër. Ishte fat edhe për ne që nuk u ndërpre ky futbolli që kemi kaq shumë qejf.

Gjithçka ka nisur që me merkaton e Tiranës, ku inciatori ishte Ard Mema. Mori lojtarë që kushdo trajner tjetër që do të punonte me to do të ishte i lumtur. Ne kemi bërë merkato të mirë edhe pse nuk ishim në Europë.

Secili ka bërë pjesën e tij dhe prandaj jemi në këtë rrugë, ky ka qenë celësi i suksesit. Nuk e kemi parë anën financiare. Në hapat e para kur Torasa ka ardhur te ne, Ardi thoshte që nuk po më kënaq. Por për mua, fakti është që në momentin kur u dëmtua Hasani, Torasa lozi në atë pozicion. Me ardhjen e Egbos janë vendosur pika mbi i. Do të flas hapur fare dhe ta dëgjojnë edhe trajnerët e tjerë. Vetë trajnerët duhet të dinë problemet që kishin te vetja. Egbo ka 16 ndeshje me 15 fitore dhe 1 barazim.

Te Tirana nuk ka munguar ndonjëherë financimi që nga viti 2014. Cilido futbollist, pavarësisht problemeve tona, kemi pasur një borxh prej 260 milionë euro. Jemi përfolur shumë. Rënia nga Kategoria? Po e them sot për herë të parë, kam pasur lojtarë që më kanë tradhëtuar. Kishte lojtarë që bënin pushime në plazh dhe më thonin se jam i dëmtuar. Kjo ka qenë mangësia ime.

Fitorja e parë me Partizanin? Kam shkuar te lojtarët dhe u kam thënë që do të flisja nga shpirti dhe zemra. U kam premtuar premion nga 3 milionë për kokë për formacionin titullar dhe pjesën e rezervave një shumë që nuk ishte e vogël. Doja që të mos më ngelte pishman gjë dhe ishte një premio që merret vetëm në Europë. Kështu lojtarët motivohen edhe më mirë, me premion.

Sa i përket Egbos, është trajner dhe njeri i mirë, do të jetë edhe për vazhdimin në Europë. Ka ardhur në një moment kur ne kishim 48 orë që diskutonim me Memën. I kam thënë Memës që i marrë unë të gjitha përsipër për rikthimin. Mema ishte një njeri i butë, si mua. Më thoshtë që Imami i sillte shumë shqetësime, por sërish luante me të në formacion. Ndërkohë unë i thoja qartë që nëse i sillte kaq shqetësime, atëherë duhej ta largonte

Licencimi i Tiranës? Atëherë kemi punuar shumë për ta bërë këtë gjë. Mund të them që kriteret janë plotësuar. E di që shumë veta e kanë pritur që Tirana mos ta marrë licencimin. Do të flasim në fund për këtë gjë. Unë them që do të marrim pjesë në Europë, megjithëse nuk do të publikohet në këto kohë se mund të prishet gara.

Deri tani kemi pasur një ofertë për Muçin dhe nëse do të vijë edhe konfirmimi zyrtar, atëherë do ta japim. Për hatër të marrëveshjes nuk mund të flas për emra konkret, por shifra do të jetë mbi 500 mijë euro”, tha Halili. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *