Përballë bardhebluve, Besa fituese e këtij trofeu që aktivizohet po në Kategorinë e Parë, si ekipi i Ze Marias
Olsi Avdiaj
Tirana nis mbrojtjen e Kupës së Shqipërisë të fituar më 31 maj nga Kavaja. Bardheblutë do të luajnë sot në stadiumin “Besa”, pikërisht me një nga ekipet më të vjetra të historisë së futbollit shqiptar. Me dy trofe në këtë kompeticion dhe me presidentin e rikthyer Nexhat Bizhdili, Besa kërkon të susrprizojë ekipin bardheblu. Gjithsesi, Tirana ka rrugën e saj dhe kërkon edhe këtë sezon të fitojë Kupën e Shqipërisë. Sipas bardhebluve, Kupa është kompeticioni i vetëm, që e çon skuadrën në Europë. Presidenti Refik Halili, e ka kusht për skuadrën dhe trajnerin fitimin e Kupës dhe këtë gjë ua ka bërë me dije edhe lojtarëve. Për këtë qëllim, trajneri Ze Maria një ditë para takimit u ka kërkuar lojtarëve përqendrim të madh në ndeshjen e sotme kundër kavajasve. Jo vetëm kaq. Ai u ka kujtuar faktin se Kupa mbetet qëllimi kryesor i sezonit, pas Superiores. Skuadra ka mbyllur përgatitjet paradite në “Skënder Halili” dhe është gati për sfidën e sotme me kavajasit. Gjendja e ekipit është e mirë dhe skuadra është pothuajse e plotë.
Vetë presidenti Refik Halili, duke folur për “Radio Tiranën” është shprehur se Tirana e tij do të bëjë surprizën. “Përsa i përket merkatos mund të them se gjithçka është mbyllur. Ka për të ardhur edhe një futbollist nga Kongo. Bëhet fjalë për Binguilën. Është një nga futbollistët më cilësorë që ka mbërritur deri sot në Shqipëri. Ai përmbyll gjithë përpjekjet tona për Kategorinë Superiore. Mund të them se për Kupën kemi objektivin e njëjtë. Ta fitojmë këtë trofe, si sezonin e shkuar. Do të jemi skuadra e parë që do të ngjitemi në Superiore, duke ardhur me trofeun e Kupës së Shqipërisë në duar. Do të jetë fantastike për të gjithë popullin bardheblu”, është shprehur Refik Halili. Presidenti i Tiranës është i bindur se Tirana do të shkëlqejë në fushën e lojës në Kategorinë e Parë. Sipas tij, kthimi është vetëm procedurë, pasi bardheblutë kanë një ekip që mund të garojë në Superiore dhe jo më në të Parën.
Grumbullimi dhe rruga – Klubi bardheblu ka vendosur që nuk do të ketë grumbullim para ndeshjes së sotme me Besën. Mësohet se skuadra do të bashkohet sot paradite në Tiranë. Menjëherë ekipi do të udhëtojë drejt Kavajës vetëm pak orë para ndeshjes së Kupës që luhen në stadiumin ”Besa” në orën 16:00, dhe që transmetohet edhe nga Radio Televizioni Shqiptar.